YouVersion လိုဂို
ရှာရန် အိုင်ကွန်

Luka 21

21
Dhurata e vejushës
(Mk 12.41-44)
1Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. 2Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri 3e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, 4sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar».
Parathënia e shkatërrimit të tempullit
(Mt 24.1-2; Mk 13.1-2)
5Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: 6«Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Shenjat dhe përndjekjet
(Mt 24.3-14; Mk 13.3-13)
7Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». 8Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. 9Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë».
10Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. 11Do të bien tërmete të mëdha e në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli, 12por para se të ndodhin të gjitha këto, do t'ju kapin e do t'ju përndjekin. Do t'ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t'ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13Kështu do të mund të dëshmoni. 14Jini të vendosur e mos u parapërgatitni për vetëmbrojtjen tuaj, 15sepse unë do t'ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t'i bëjë ballë e nuk do ta kundërshtojë dot. 16Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t'ju tradhtojnë e do të vrasin disa prej jush. 17Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, 18por asnjë fije floku nuk do t'ju bjerë nga koka. 19Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj».
Paralajmërimi i shkatërrimit të Jerusalemit
(Mt 24.15-21; Mk 13.14-19)
20«Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër. 21Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem, 22sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar. 23Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, se do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli! 24Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë kombet dhe Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa t'u mbarojë koha kombeve».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mt 24.29-31; Mk 13.24-27)
25«Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Në tokë kombet do t'i zërë tmerri e ankthi nga buçima e detit dhe e valëve. 26Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tranden. 27Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe. 28Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni e ngrijeni kokën, se shpengimi juaj është afër».
Mësimi nga fiku
(Mt 24.32-35; Mk 13.28-31)
29Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë: «Shikoni fikun e të gjitha pemët. 30Sapo të shihni se kanë nxjerrë sytha, ju e dini se po afrohet vera. 31Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. 32Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 33Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Jini syçelët
34«Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë, 35si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut. 36Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës e lutuni që të mund t'u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut».
37Gjatë ditës Jezui mësonte njerëzit në tempull, ndërsa natën e kalonte në një vend që quhej mali i Ullinjve. 38Gjithë populli zgjohej herët në mëngjes për të dëgjuar Jezuin në tempull.

လက်ရှိရွေးချယ်ထားမှု

Luka 21: AL

အရောင်မှတ်ချက်

မျှဝေရန်

ကူးယူ

None

မိမိစက်ကိရိယာအားလုံးတွင် မိမိအရောင်ချယ်သောအရာများကို သိမ်းဆည်းထားလိုပါသလား။ စာရင်းသွင်းပါ (သို့) အကောင့်ဝင်လိုက်ပါ