1 Kronikave 12
12
Bashkëpunëtorët e Davidit
1Këta janë burrat që erdhën te Davidi në Ciklag, kur ai ishte ende duke ikur nga Sauli, biri i Kishit. Këta ishin trimat, që e ndihmuan në luftë, 2harkëtarë, shigjetarë e gurëgjuajtës me të dyja duart. Prej vëllezërve të Saulit, nga Benjamini, ishin 3kryetari, Ahiezeri, pastaj Joashi, bijtë e Shemah Gibeatitit; Jezueli e Peleti, bijtë e Azmavetit; Barakahu e Jehu Anatotiti, 4Ishmajah Gibeoniti, njëri nga tridhjetë trimat e mbi të tridhjetët. 5Jeremia, Jahazieli, Johanani e Jozabad Gederatitit, 6Eleuzai, Jerimoti, Bealjahu, Shemarjahu, Shefatjah Harufiti, 7Elkanahu, Ishjahu, Azareli, Joezeri, Jashobeami nga Korahitët, 8Joelahu e Zebadjahu, bijtë e Jerohamit nga Gedori.
9Disa prej gaditëve u bashkuan me Davidin në strehimin e shkretëtirës. Ishin burra të fortë e ushtarë luftarakë, përdorues të shqytit e të heshtës, me pamje luani e të shkathët si sorkadhet e bjeshkëve. 10Kryetari ishte Ezeri, i dyti Abdia, i treti Eliabi, 11i katërti Mishmanahu, i pesti Jeremia, 12i gjashti Ataji, i shtati Elieli, 13i teti Johanani, i nënti Elzabadi, 14i dhjeti Jeremia, i njëmbëdhjeti Makbanai. 15Këta ishin prej bijve të Gadit, prijësit ushtarak. Më i vogli prijës për njëqind vetë e më i madhi për një mijë.
16Këta e kaluan Jordanin në muajin e parë, kur fryhej e dilte nga brigjet gjithandej, dhe i dëbuan të gjithë banorët e luginës, në lindje e në perëndim. 17Disa prej bijve të Benjaminit e të Judës shkuan deri te fortesa e Davidit. 18Davidi u doli para, iu përgjigj e tha: «Nëse keni ardhur tek unë paqësisht, për të më ndihmuar, jam i gatshëm të bashkohem me ju me gjithë zemër, por nëse më dorëzoni te kundërshtarët, edhe pse duart e mia nuk kanë ushtruar dhunë, paftë e gjykoftë Perëndia i etërve tanë!».
19Atëherë një shpirt e mbështolli Amasain, kreun e të tridhjetëve: «Ne jemi të tutë, David, e me ty, o biri i Jeseut. Paqe, paqe me ty e paqe me ata që të ndihmojnë, sepse të ndihmon Perëndia yt». Atëherë Davidi i mori e i caktoi krerë të trupave. 20Disa nga bijtë e Manaseut u bënë me Davidin, kur mbërriti me filistinët në betejën kundër Saulit, por ata nuk i ndihmuan filistinët, ngaqë prijësit e filistinëve u këshilluan dhe e dëbuan, sepse thoshin: «E paguajmë me kokë. Ai do të bëhet me zotërinë e vet, Saulin». 21Kur po shkonte në Ciklag, u bënë me të bijtë e Manaseut, që ishin Adnahu, Jozabadi, Jediaeli, Mikaeli, Jozabadi, Elihui e Ciletai, kryetari i një mijë manasenjve. 22Ata e ndihmuan Davidin dhe trupat e tij, sepse ishin të gjithë trima të fortë e u bënë prijës ushtarakë.
23Ditë për ditë vinin te Davidi për ta ndihmuar, derisa fushimi u bë i madh, si fushimi i Perëndisë. 24Këta janë numrat e krerëve të armatosur, që erdhën te Davidi në Hebron, për t'ia dhënë atij mbretërinë e Saulit, siç e kishte thënë Zoti. 25Bijtë e Judës, mbartës të shqytit e të heshtës, ishin gjashtë mijë e tetëqind të armatosur; 26prej bijve të Simeonit, trima të fortë për luftë, shtatë mijë e njëqind; 27prej bijve të Levit, katër mijë e gjashtëqind; 28pastaj prijësi Jehojada prej shtëpisë së Aronit me tre mijë e shtatëqind; 29Cadoku, djalosh trim e i fortë, me njëzet e dy prijës prej fisit të vet; 30prej bijve të Benjaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë, sepse shumica e tyre kishte mbetur në shërbim të Saulit; 31prej bijve të Efraimit, njëzet mijë e tetëqind trima të fortë, burra në zë për fiset e tyre; 32nga gjysma e fisit të Manaseut, tetëmbëdhjetë mijë, të cilët u caktuan me emër, që të vinin për ta shpallur Davidin mbret; 33prej bijve të Isaharit, që i njihnin mirë kohërat dhe e dinin çfarë duhej të bënte Izraeli, dyqind krerë me të gjithë vëllezërit që kishin nën urdhra; 34nga Zabuloni, pesëdhjetë mijë luftëtarë të përgatitur për betejë me të gjitha armët ushtarake, të gatshëm për të ndihmuar pa mëdyshje; 35nga Neftaliu, një mijë prijës me tridhjetë mijë shqytarë e heshtarë; 36nga danitët, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind, të gatshëm për luftë; 37nga Asheri, dyzet mijë luftëtarë të përgatitur për betejë.
38Nga matanë Jordanit, prej rubenitëve, prej gaditëve e prej gjysmës së fisit të Manaseut, njëqind e njëzet mijë me të gjitha armatimet për luftë. 39Të gjithë këta, burra luftarakë, të gatshëm për betejë, shkuan në Hebron me mendje të mbushur për ta shpallur Davidin mbret mbi mbarë Izraelin. Edhe të gjithë izraelitët e tjerë ishin në një mendje për ta shpallur Davidin mbret. 40Ata ndenjën me Davidin tri ditë, duke ngrënë e duke pirë çfarë u kishin përgatitur vëllezërit. 41Edhe të afërmit e tyre nga Isahari, Zabuloni e Neftaliu erdhën e sollën ushqim me gomarë, me deve, me mushka e me qe. Sollën miell, kuleç me fiq, rrush të thatë, verë, vaj, qe e dele, sepse pati gëzim në Izrael.
Aktualisht i përzgjedhur:
1 Kronikave 12: AL1
Thekso
Ndaje
Copy

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020