Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Makabenjve 2

2
Matatia dhe të bijtë
1Në atë kohë, Matatia, biri i Johananit, të birit të Simeonit, prift nga bijtë e Joaribit, u largua nga Jerusalemi e u vendos në Modein. 2Ai kishte pesë djem, Johananin, që e thërrisnin Gad, 3Simonin, që e thërrisnin Tas, 4Judën, që e thërrisnin Makabe, 5Eleazarin, që e thërrisnin Avaran, dhe Jonatanin, që e thërrisnin Apfu. 6Matatia i pa fyerjet që i bëheshin Zotit në Jude e në Jerusalem 7dhe tha:
«Mjerë unë! Pse paskam lindur?
Që të shoh shkatërrimin e popullit tim,
shkatërrimin e qytetit të shenjtë,
që të rri ndenjur tek i dorëzohet armikut,
tek lihet në dorën e të huajve shenjtërorja?
8Tempulli i qytetit u bë burrë i çnderuar,
9enët e lavdisë i morën plaçkë lufte,
foshnjat ia vranë në sheshet e veta,
të rinjtë ranë në shpatën e armikut.
10Cili komb nuk mori një copë nga mbretëria?
Kush mbeti pa marrë plaçkë prej saj?
11Stolitë iu grabitën të tëra,
nga liria ra në skllavëri.
12Dhe ja, shenjtërorja jonë, hijeshia e lavdia na u shkretuan,
kombet na i përdhosën.
13Çka na duhet jeta?».
14Pas kësaj Matatia bashkë me të bijtë grisën rrobat, veshën nga një thes e ia dhanë vajit.
Flijimi në Modein
15Ata që mbreti i kishte ngarkuar t'i largonin njerëzit nga feja mbërritën në Modein, për të kushtuar fli. 16Shumë izraelitë shkuan tek ata, ndërsa Matatia u mblodh me të bijtë. 17Njerëzit e mbretit i thanë Matatisë: «Ti je prijës i nderuar e i madh në këtë qytet dhe ke përkrahjen e bijve e vëllezërve të tu. 18Eja, pra, i pari e bindju urdhrit të mbretit, siç kanë bërë të gjitha kombet, burrat e Judës dhe ata të Jerusalemit. Kështu, ti e bijtë e tu do të numëroheni mes miqve të mbretit. Ti e bijtë e tu do të nderoheni me argjend, ar e dhurata të shumta». 19Matatia u përgjigj e tha me zë të lartë: «Edhe sikur të gjitha kombet që ndodhen nën mbretin t'i binden urdhrit të tij, të braktisin fenë e etërve të tyre dhe t'i zbatojnë porositë e tij, 20unë, bijtë e vëllezërit e mi do t'i mbetemi besnikë besëlidhjes së etërve tanë. 21Mjerë ne, po braktisëm ligjin e urdhërimet! 22Nuk do t'i bindemi urdhrit të mbretit e nuk do t'i shmangemi fesë sonë as djathtas, as majtas».
23Sapo Matatia tha këto fjalë, një jude doli para të gjithëve e kushtoi fli në altarin e Modeinit, sipas urdhrit të mbretit. 24Kur Matatia e pa këtë, e kapi zelli dhe veshkat zunë t'i dridhen. U zemërua me të drejtë, vrapoi dhe e vrau mbi altar. 25Në të njëjtën kohë vrau edhe të dërguarin e mbretit, që i kishte detyruar të kushtonin fli dhe shkatërroi altarin. 26E kishte kapur zelli për ligjin, si Finehasi që vrau Zambriun, birin e Salomit.
27Mandej Matatia thirri në qytet me zë të lartë: «Kush ka zell për ligjin e i del zot besëlidhjes, të vijë pas meje». 28Atëherë ai dhe bijtë e tij morën malet dhe lanë në qytet gjithçka patën.
29Asokohe shumë vetë që kërkonin drejtësi e gjykim të drejtë shkuan në shkretëtirë e ndenjën atje, 30bashkë me bijtë, gratë e bagëtitë e tyre, sepse iu shtuan të këqijat. 31Njerëzit dhe ushtria e mbretit në Jerusalem, në qytetin e Davidit, u njoftuan se ata që kishin shpërfillur urdhrin e mbretit ishin fshehur në shkretëtirë. 32Ushtria u nis për t'i kërkuar. I gjeti, fushoi kundruall tyre e u bë gati për t'i sulmuar ditën e shtunë. 33Atëherë u thanë: «Mjaft më! Dilni e zbatoni urdhrin e mbretit, që të shpëtoni gjallë». 34Por ata thanë: «Nuk do të dalim e nuk do ta zbatojmë urdhrin e mbretit, për të përdhosur të shtunën». 35Menjëherë ushtarët u hodhën në sulm. 36Ata nuk u përgjigjën, nuk gjuajtën me gurë e nuk ndërtuan mburoja në shpellat ku ishin futur 37e thanë: «Le të vdesim të pafajshëm që të gjithë. Qielli e toka janë dëshmitarë se po na vrisni padrejtësisht». 38I sulmuan të shtunën dhe i vranë bashkë me gratë, fëmijët e kafshët. Ishin rreth një mijë shpirtra njerëzish.
39Kur Matatia e miqtë e tij morën lajmin, i qanë me hidhërim. 40Atëherë burrat i thanë njëri-tjetrit: «Po të bëjmë si të gjithë vëllezërit tanë e të mos luftojmë kundër kombeve për të mbrojtur veten e ligjet tona, do të na zhbijnë shpejt nga faqja e dheut». 41Atë ditë morën këtë vendim: «Do të luftojmë kundër kujtdo që na sulmon ditën e shtunë, që të mos vdesim si vëllezërit tanë nëpër shpella». 42Me ta u bashkuan edhe një grup hasidimësh, të njohur në Izrael për fuqinë e tyre, si dhe të gjithë ndjekësit e përkushtuar të ligjit. 43Të gjithë ata që kishin marrë arratinë nga të këqijat, u bashkuan me ta për t'i përkrahur. 44Mblodhën një ushtri e u ranë me furi mëkatarëve e të paudhëve. Të tjerët shkuan nëpër kombe që të shpëtonin. 45Matatia dhe miqtë e tij shkatërruan altarët, 46rrethprenë me forcë të gjithë fëmijët e parrethprerë në Izrael, 47dëbuan kryeneçët dhe puna u shkoi mbarë. 48E mbrojtën ligjin nga duart e kombeve e të mbretërve dhe nuk e lejuan mëkatarin të krekosej.
49Kur iu afrua vdekja, Matatia u tha të bijve: «Tashmë mbizotërojnë krenaria e poshtërimi. Kanë ardhur kohë shkatërrimi e zemërimi të madh. 50Tani, bij, jepuni pas ligjit e kushtojani jetën besëlidhjes së etërve tanë. 51Kujtoni veprat që etërit i kryen në kohën e tyre e do të fitoni lavdi të madhe dhe emër në amshim. 52A nuk qëndroi besnik Abrahami në kohë sprove dhe kjo iu numërua për drejtësi? 53Kur u gjet ngushtë, Jozefi mbajti urdhërimet dhe u bë zot i Egjiptit. 54Finehasi, ati ynë, falë zellit mori besëlidhjen e priftërisë së amshuar. 55Jozuehu u bë gjykatës i Izraelit, sepse zbatoi urdhrin. 56Kalebi u bë trashëgimtar i tokës, sepse dëshmoi përpara bashkësisë. 57Davidi trashëgoi fronin e mbretërisë së amshuar, sepse u tregua i mëshirshëm. 58Elia u mor në qiell, sepse pati zell për ligjin. 59Hananiahu, Azarjahu e Mishaeli u shpëtuan flakëve, sepse besuan. 60Danieli shpëtoi prej gojës së luanëve, sepse ishte i drejtë. 61Këto përsiatni brez pas brezi, se atyre që shpresojnë në të nuk do t'u mungojë forca. 62Mos u trembni nga fjalët e mëkatarit, se bajga e krimba bëhet lavdia e tij. 63Sot lartohet e nesër s'gjendet. Kthehet në dhe, synimet i shfarosen. 64Bij, bëhuni burra e forcohuni në ligj, se prej tij merrni lavdi. 65Ja, Simeoni, vëllai juaj, është burrë i urtë. Dëgjojeni gjithë jetën. Ai do të jetë ati juaj. 66Judë Makabeu është luftëtar i fuqishëm që në rini. Ai do të jetë kreu i ushtrisë suaj e do të luftojë kundër popujve. 67Mblidhini të gjithë ata që zbatojnë ligjin e merrni hak për popullin tuaj. 68Shpaguajini kombet e mbajini urdhërimet e ligjit».
69Atëherë i bekoi e shkoi me të parët e vet. 70Matatia vdiq në vitin njëqind e gjashtëdhjetë e katër e u varros në varret e etërve të tij në Modein. Mbarë Izraeli e qau me hidhërim.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Makabenjve 2: AL1

Thekso

Kopjo

Krahaso

Ndaje

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr