Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Pjetrit 2:11-24

1 Pjetrit 2:11-24 AL1

Fort të dashur, meqenëse jeni shtegtarë dhe të përkohshëm, ju lutem të hiqni dorë nga kënaqësitë trupore që luftojnë kundër shpirtit. Sjellja juaj ndër kombet të jetë e mirë. Kështu, edhe nëse ata ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira do të përlëvdojnë Perëndinë në ditën e ardhjes së tij. Nënshtrojuni çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit, qoftë mbretit, si sundimtarit më të lartë, qoftë qeveritarëve, si të dërguar nga Perëndia për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën. Vullneti i Perëndisë është që duke bërë të mirën, t'ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. Silluni si njerëz të lirë e mos e përdorni lirinë si mbulesë për ligësinë, por jetoni si shërbëtorë të Perëndisë. Nderojini të gjithë, duajini vëllezërit në besim, druani Perëndinë, nderoni mbretin. Ju, shërbëtorë, nënshtrojuni plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë e zemërbutë, por edhe të mbrapshtëve. Se është hir për njeriun që duron mundimet kur vuan padrejtësisht, për shkak se e ka ndërgjegjen sipas Perëndisë. Çfarë vlere ka nëse duroni mundimet kur keni bërë faj? Por nëse duroni vuajtjet kur keni bërë të mirën, kjo është hir para Perëndisë. Për këtë jeni thirrur, sepse edhe Krishti vuajti për ju. Ai ju la shembullin, që të ndiqni edhe ju gjurmët e tij. Ai nuk bëri asnjë mëkat, në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim. Kur poshtërohej, ai nuk poshtëronte, kur vuante, nuk kërcënonte, por ia la veten në dorë Perëndisë që gjykon me drejtësi. Ai i mori mëkatet tona në trupin e vet mbi dru, që ne të vdesim ndaj mëkatit e të jetojmë me drejtësi. Ju u shëruat nga plagët e tij.