Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Kronikave 21

21
Mbretërimi i Jehoramit në Judë
1Joshafati u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi Jehorami, i biri. 2Jehorami kishte vëlla Azarjahun, Jehielin, Zakarinë, Azarjahun, Mikaelin dhe Shefatjahun. Të gjithë vëllezërit e tij ishin bij të Joshafatit, mbretit të Izraelit. 3I ati u kishte dhënë shumë dhurata argjendi e ari, sende me vlerë dhe qytete të fortifikuara anekënd Judës, ndërsa mbretërinë ia dha Jehoramit, sepse ai ishte i parëlinduri. 4Kur hipi në fronin e të atit, Jehorami e forcoi pushtetin dhe i vrau me shpatë të gjithë vëllezërit, përfshirë këtu edhe disa nga prijësit e Izraelit. 5Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur u bë mbret. Ai sundoi për tetë vjet në Jerusalem. 6Ai u soll si mbretërit e Izraelit dhe ndoqi shembullin e shtëpisë së Ahabit, sepse ishte martuar me bijën e Ahabit. Jehorami bëri çka është keq në sytë e Zotit. 7Megjithatë Zoti nuk donte ta shkatërronte shtëpinë e Davidit, për shkak të besëlidhjes që kishte bërë me të. Zoti i kishte premtuar se pasardhësit e Davidit do të mbretëronin përherë si një pishtar i ndezur.
8Gjatë mbretërimit të Jehoramit, Edomi ngriti krye kundër sundimit të Judës dhe shpalli mbretin e vet. 9Atëherë Jehorami kaloi kufirin, bashkë me krerët e ushtrisë së tij dhe me të gjitha qerret e luftës që kishte. Edomitët e rrethuan Jehoramin me gjithë prijësit e qerreve të luftës. Atëherë ai u ngrit natën e i sulmoi. 10Edomi nuk i është nënshtruar më sundimit të mbretërisë së Judës edhe sot e kësaj dite. Në të njëjtën kohë kundër sundimit të Judës ngriti krye edhe Libnahu. Kjo ndodhi ngaqë Jehorami e kishte braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tij.
11Jehorami ndërtoi edhe faltore idhujsh nëpër malet e Judës, duke e bërë popullin e Jerusalemit ta tradhtojnë Zotin dhe banorët e Judës të largohen prej tij. 12Atëherë profeti Eli i dërgoi një letër, ku i thoshte: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: “Ti nuk je sjellë si ati yt, Joshafati, dhe as si Asai, mbreti i Judës, 13por je sjellë si mbretërit e Izraelit, duke e bërë popullin e Judës dhe banorët e Jerusalemit ta tradhtojnë Zotin, ashtu siç i bëri edhe shtëpia e Ahabit. Për me tepër, vrave edhe vëllezërit e tu, familjen e atit tënd, që ishin më të mirë se ti. 14Prandaj, ja, Zoti do të sjellë një fatkeqësi të madhe mbi popullin tënd, mbi bijtë e tu, mbi gratë e tua dhe mbi gjithë pasurinë tënde. 15Ti vetë do të vuash nga një sëmundje e rëndë barku që do të t'i nxjerrë zorrët prej barkut dita-ditës”».
16Atëherë Zoti nxiti kundër Jehoramit shpirtrat e filistinëve dhe të arabëve, fqinjëve të kushitëve. 17Ata e sulmuan Judën, e pushtuan dhe rrëmbyen bijtë e Jeroboamit, gratë e tij, si edhe gjithë pasuritë e pallatit mbretëror. Jeroboamit i mbeti vetëm djali i vogël, Jehoahazi.
18Pas këtyre ngjarjeve, Zoti e goditi Jehoramin me një sëmundje të pashërueshme barku. 19Jehorami përkeqësohej ditë pas dite. Si kaluan dy vjet, atij i dolën zorrët e barkut nga sëmundja e rëndë. Jehorami vdiq me dhimbje të tmerrshme. Gjatë varrimit të Jehoramit, populli nuk ndezi zjarre të mëdha për nder të tij, sikurse kishte bërë për paraardhësit e tij. 20Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tetë vjet në Jerusalem. Ai vdiq pa iu dhimbsur askujt dhe e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varret e mbretërve.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 Kronikave 21: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr