Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 12

12
Një vrasje dhe një burgosje
1Në atë kohë, mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga besimtarët e kishave. 2Jakobin, vëllanë e Gjonit, ai e vrau me shpatë. 3Kur pa se kjo gjë u pëlqeu judenjve, urdhëroi të kapnin edhe Pjetrin. Ishin ditët e festës së Bukëve të ndorme. 4Pasi e kapi, Herodi e futi në burg dhe ua dorëzoi katër grupeve me nga katër ushtarë që ta ruanin, me qëllim që pas Pashkës ta nxirrte para popullit. 5Ndërsa Pjetri ishte në burg, kisha i lutej Perëndisë me gjithë zemër për të.
Pjetri lirohet nga burgu
6Natën, përpara se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, Pjetri, i lidhur me dy zinxhirë, po flinte mes dy ushtarëve, ndërsa rojat para derës ruanin burgun. 7Papritur u shfaq një engjëll i Zotit dhe qelinë e ndriçoi një dritë. Ai e preku Pjetrin në brinjë e i tha: «Ngrihu shpejt!». Dhe menjëherë zinxhirët i ranë nga duart. 8Pastaj engjëlli i tha: «Vëre brezin e mbathi sandalet». Pjetri u bind. Pastaj i tha: «Hidh gunën e më ndiq». 9Pjetri doli e shkoi pas tij pa e ditur nëse ajo që po i ndodhte me engjëllin ishte e vërtetë apo jo. Ai mendonte se po shihte një vegim. 10Kur kaluan rojën e parë e të dytë, arritën te dera e hekurt, që të çonte në qytet. Ajo u hap vetë. Ata dolën dhe ecën në një rrugë dhe engjëlli u largua nga ai menjëherë.
11Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: «Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij e më çliroi nga duart e Herodit e nga gjithçka që judenjtë kishin ndër mend të bënin me mua».
12Si e kuptoi këtë gjë, shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të cilin e quanin edhe Mark. Aty ishin mbledhur shumë veta e po luteshin. 13Ai trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore me emrin Rodë erdhi të hapte derën. 14Kur dëgjoi zërin e Pjetrit, ajo u gëzua aq shumë, saqë në vend që të hapte derën, shkoi me vrap brenda dhe lajmëroi se Pjetri ishte te dera.
15Ata i thanë: «Ti nuk je në vete». Por ajo nguli këmbë se ishte e vërtetë. Ata i thanë: «Është engjëlli i tij». 16Ndërsa Pjetri vazhdonte të trokiste. Kur e hapën derën, ata e panë dhe mbetën të mahnitur. 17Ai ua bëri me dorë që të mos flisnin dhe u tregoi sesi Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Atëherë u tha: «Tregojani këtë Jakobit e vëllezërve». Pastaj doli e shkoi në një vend tjetër.
18Kur zbardhi dita, rojat i zuri paniku kur panë se Pjetri nuk ishte aty. 19Herodi e kërkoi, por nuk e gjeti. Atëherë i mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që t'i vrisnin. Pastaj Herodi shkoi nga Judeja në Cezare dhe qëndroi aty.
Vdekja e Herodit
20Herodi ishte shumë i zemëruar me banorët e Tirit e të Sidonit. Atëherë ata ranë në një mendje, shkuan tek ai dhe, pasi ia mbushën mendjen Blastit, nëpunësit të dhomës së mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet nga mbretëria e tij. 21Në ditën e caktuar Herodi u vesh me rrobat mbretërore, u ul në fron dhe mbajti një fjalim. 22Populli brohoriste: «Ky është zë perëndie e jo njeriu». 23E menjëherë një engjëll i Zotit e goditi Herodin, meqë ai nuk i dha lavdi Perëndisë. Ai dha shpirt i brejtur nga krimbat.
24Dhe fjala e Perëndisë përhapej gjithnjë e më shumë. 25Barnaba e Sauli, pasi e përfunduan shërbesën në Jerusalem, u kthyen dhe morën me vete Gjonin që quhej edhe Mark.

Aktualisht i përzgjedhur:

Veprat 12: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr