Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 26:4-18

Veprat 26:4-18 AL1

Të gjithë judenjtë e dinë sesi kam jetuar që kur kam qenë i ri. Kam jetuar që nga fillimi mes popullit tim, në Jerusalem. Ata më njohin që prej shumë kohësh dhe mund të dëshmojnë se unë i përkisja sektit më të rreptë të fesë sonë dhe se kam jetuar si farise. Ndërsa tani qëndroj këtu për t'u gjykuar për shkak se shpresoj në premtimin që Perëndia u ka dhënë etërve tanë, të cilin dymbëdhjetë fiset tona shpresojnë ta arrijnë, duke adhuruar Perëndinë ditë e natë me përkushtim. Për këtë shpresë, o mbret, më kanë paditur judenjtë. Përse ju duket e pabesueshme që Perëndia të ngjallë të vdekurit? Edhe unë vetë kam menduar se duhej të bëja gjithçka që mundesha kundër emrit të Jezuit të Nazaretit dhe këtë gjë bëra në Jerusalem. Me pushtetin që mora nga kryepriftërinjtë kam çuar në burg shumë nga të shenjtët dhe kam dhënë miratimin tim kur i dënonin me vdekje. Shpeshherë, në të gjitha sinagogat, jam munduar që me anë të dhunës t'i detyroj të mohojnë besimin e tyre dhe zemërimi im kundër tyre ishte aq i madh, saqë i kam përndjekur edhe në qytetet e huaja». «Kështu, u nisa për në Damask me pushtetin e lejen e kryepriftërinjve. Gjatë rrugës, aty nga mesdita, o mbret, pashë një dritë nga qielli, që ishte më e shndritshme se dielli, që shndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin me mua. Ramë të gjithë përdhe dhe unë dëgjova një zë që më tha në hebraisht: “Saul, Saul, përse më përndjek? Do të lëndohesh duke hedhur shkelma kundër hostenit”. Unë e pyeta: “Kush je ti, o Zot?”. Zoti m'u përgjigj: “Unë jam Jezui që ti po përndjek, por ngrihu e qëndro në këmbë. T'u shfaqa që të të bëj shërbëtorin tim e që të dëshmosh ato që pe dhe ato që do të të tregoj. Unë do të të mbroj edhe nga populli yt, edhe nga kombet, te të cilat po të dërgoj, që t'u hapësh sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia. Kështu me anë të besimit në mua, do të marrin faljen e mëkateve e do të kenë pjesë me të shenjtëruarit”».