Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Danieli (Gr) 8

8
Vegimi i dashit dhe cjapit
1Në vitin e tretë të mbretërimit të mbretit Belshacar, unë, Danieli, pashë një vegim tjetër, pas vegimit të parë që më ishte shfaqur. 2Teksa po shihja vegimin, pashë se isha në fortesën e Shushanit, që ndodhet në krahinën e Elamit, dhe po ashtu pashë në vegim se isha pranë lumit të Ulait. 3Ngrita sytë për të parë, kur ja, një dash me dy brirë po qëndronte përbri lumit. Brirët i kishte të mëdhenj, por njëri bri ishte më i lartë se tjetri, ndonëse kishte mbirë i fundit. 4Pashë dashin të gjuante me brirë drejt perëndimit, drejt veriut e drejt jugut. Asnjë kafshë nuk i bënte dot ballë e askush nuk i shpëtonte dot pushtetit të tij. Dashi bënte ç'të donte dhe bëhej gjithnjë e më i madh.
5Teksa po vështroja, ia behu një cjap nga perëndimi, i cili përshkoi mbarë sipërfaqen e tokës, pa e prekur tokën. Cjapi kishte mes syve një bri madhështor. 6Mandej iu afrua dashit me dy brirë, që kisha parë të qëndronte përbri lumit, dhe iu vërsul me sa fuqi kishte. 7E pashë tek iu afrua dashit, duke turfulluar kundër tij. Iu vërsul e ia theu të dy brirët. Dashi nuk kishte më fuqi të qëndronte. Cjapi e plandosi dashin përtokë, e shtypi me këmbë dhe askush nuk mund ta shpëtonte prej thundrës të tij. 8Cjapi u bë shumë i madh, por kur arriti kulmin e fuqisë, iu thye briri madhështor. Në vend të tij mbinë katër brirë të tjerë madhështorë, me drejtim nga të katër erërat e qiellit.
9Nga njëri prej brirëve doli një bri tjetër, i vogël në fillim, por që u rrit shumë në drejtim të jugut, të lindjes e të vendit të bukur. 10Briri u rrit derisa arriti ushtrinë e qiellit, rrëzoi përtokë një pjesë të ushtrisë qiellore dhe një pjesë të yjeve e i shkeli me këmbë. 11Madje, u lartësua deri te kreu i ushtrisë qiellore, hoqi flinë e përhershme dhe shembi vendin e shenjtërores së tij. 12Caktoi një ushtri kundër flisë së përhershme, të vërtetën e plandosi përtokë dhe pati mbarësi në çdo gjë që bëri. 13Atëherë dëgjova një qenie të shenjtë që po fliste. Një tjetër qenie e shenjtë e pyeti atë që po fliste: «Deri kur do të zgjatë kjo që shihet në vegim, ndalimi i flisë së përhershme, paudhësia që po shkreton, rrënimi i shenjtërores dhe shkelja me këmbë e ushtrisë qiellore?». 14Ai m'u përgjigj: «Shenjtërorja do të pastrohet pas dy mijë e treqind ditësh e netësh».
Shpjegimi i vegimit
15Kur pashë vegimin, unë, Danieli, dëshiroja ta kuptoja. E ja, para meje qëndroi dikush që ngjante me një njeri. 16Atëherë dëgjova një zë njeriu prej lumit Ulai që tha: «Gabriel, shpjegoja vegimin!». 17Gabrieli erdhi pranë meje. Atëherë unë u tmerrova e rashë me fytyrë përtokë, por ai më tha: «Ta dish, o bir njeriu, se ky vegim është për fundin e kohërave».
18Ndërsa ai po më fliste, më kishte kapluar një gjumë i rëndë e kisha rënë me fytyrë përdhe. Atëherë ai më preku, më ngriti në këmbë 19e më tha: «Ja, po të bëj të njohur çka për të ndodhur në kohën e fundit të zemërimit, sepse ka lidhje me kohën e fundit të caktuar. 20Dashi me dy brirë, që pe, janë mbretërit e Medës e Persisë. 21Cjapi është mbreti i Greqisë#8.21 he. Javan. Briri i madh, që i pe ndër sy, është mbreti i parë. 22Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin prej këtij kombi, por që nuk do ta kenë fuqinë e tij. 23Nga fundi i mbretërimit të tyre, kur paudhësitë e tyre të kenë arritur kulmin, do të dalë një mbret i pafytyrë e dinak. 24Ai do të bëhet shumë i fuqishëm, por jo me forcat e veta. Do të sjellë shkatërrime marramendëse, do të ketë mbarësi në gjithçka që bën e do të shkatërrojë njerëz të fuqishëm dhe popullin e të shenjtëve. 25Do të dijë ta përdorë mirë mashtrimin në saje të mprehtësisë së tij, do të krenohet në zemrën e vet e do të shkatërrojë shumë vetë që jetonin të sigurt. Do të ngrihet kundër princit të princave e do të thyhet, por jo nga dora njerëzore. 26Vegimi i mbrëmjeve dhe i mëngjeseve, që t'u tregua, është i vërtetë, por ti mbaje të fshehtë, sepse ka lidhje me gjëra që do të ndodhin pas shumë kohësh».
27E unë, Danieli, u këputa e u sëmura për shumë ditë. Mandej u ngrita dhe vijova punën në shërbim të mbretit. Vegimi më kishte tmerruar e askush nuk mund ta kuptonte.

Aktualisht i përzgjedhur:

Danieli (Gr) 8: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr