Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hosea 10

10
Robëria e Izraelit
1«Hardhi e begatshme është Izraeli,
jep fryt me mbushulli,
por sa më shumë jep fryt,
aq më shumë i shton altarët,
sa më i begatshëm bëhet vendi,
aq më tepër i stolisin përmendoret e shenjta.
2Kanë zemër mashtruese, ndaj janë fajtorë.
Ai do t'i thërrmojë altarët e tyre,
përmendoret e tyre të shenjta do t'i rrënojë.
3E pastaj ata do të thonë:
“S'kemi mbret,
se Zotin nuk e druajtëm.
Po edhe mbreti ç'do të bënte për ne?”.
4Flasin vetëm fjalë,
zotohen më kot e lidhin besëlidhje,
ndaj gjykimet lindin
si bimët helmuese në hulli të arës.
5Për kaun e Bet Avenit
frikësohen banorët e Samarisë.
Vajton populli për të,
priftërinjtë dridhen për të,
për lavdinë e tij, se në mërgim shkoi.
6Vetë do ta çojnë atë në Asiri,
si tagër për mbretin e madh.
Efraimin do ta kapë turpi,
Izraeli do të turpërohet për shestimet e veta.
7Mbreti i Samarisë do të tretet,
porsi shkuma mbi ujë.
8Do të rrafshohen faltoret e Avenit,
ato janë mëkatet e Izraelit.
Altarët e tyre do t'i mbulojë ferra e murrizi.
Maleve do t'u thonë: “Na mbuloni!”,
kodrave: “Bini mbi ne!”.
9Që nga dita e Gibeahut
mëkatove, o Izrael.
Atje mbetën, në Gibeah,
atje keqbërësit lufta do t'i kaplojë.
10Kam vendosur t'i ndëshkoj.
Popujt do të mblidhen kundër tyre,
kur të mbrehen për fajin e tyre të dyfishtë.
11Efraimit, si kaut të mësuar,
i pëlqen lëmin të shijë,
zgjedhën ia hodha
mbi qafën e tij të bukur.
Efraimin do ta mbreh,
Juda do të lëvrojë,
Jakobi vetë do të trinojë.
12Mbillni drejtësinë,
korrni frytin e mirësisë,
hapni tokë të re.
Është koha për të kërkuar Zotin derisa të vijë
e shiun e drejtësisë të zbrazë mbi ju.
13Lëvruat paudhësinë,
korrët padrejtësinë,
frytin e gënjeshtrës hëngrët,
se i zure besë udhëve të tua,
trimave të tu të shumtë.
14Do të buçasë lufta kundër popullit tënd,
fortesat e tua do të rrënohen,
siç e shkretoi Shalmani Bet Arbelin,
kur nënat copëtoheshin mbi bijtë e tyre.
15Kështu do të ndodhë edhe me ty, o Betel,
për shkak të paudhësive që kreve.
Në të gdhirë mbreti i Izraelit do të marrë fund».

Aktualisht i përzgjedhur:

Hosea 10: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr