Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 13

13
Profeci kundër Babilonisë
1Profecia kundër Babilonisë, që pa Isaia, biri i Amosit.
2Mbi një mal të zhveshur ngrini flamurin,
lëshojuni kushtrimin e bëjuani me dorë,
që të hyjnë nëpër dyert e fisnikëve.
3Të shenjtëruarve të mi u kam dhënë urdhër
e trimat i kam thirrur,
që të vënë në jetë zemërimin tim,
ata që krenohen me madhështinë time.
4Një zë turme nëpër male,
i ngjan një morie të shumtë,
ushtojnë mbretëritë,
kombet e bëra tok;
Zoti i ushtrive po mbledh
ushtrinë për të bërë luftë!
5Vijnë nga një vend i largët,
nga skajet e qiellit vijnë
Zoti dhe armët e zemërimit të tij,
tokën mbarë për të shkatërruar.
6Vajtoni, se po afron dita e Zotit,
si shkatërrim prej të gjithëpushtetshmit po vjen!
7Prandaj të gjitha duart po ngathen,
gjithë njerëzit po i lëshon zemra.
8Do të tmerrohen, do të dridhen,
dhimbjet do t'i pushtojnë,
do të përpëliten si gruaja që lind,
me tmerr do të shohin njëri-tjetrin,
fytyrat do t'u përflaken.
9Ja, po vjen dita e Zotit,
mizore dhe e furishme,
plot zemërim përvëlues,
për ta kthyer vendin në shkretëtirë,
mëkatarët për t'ia zhbirë.
10Yjet e qiellit, bashkë me yjësitë,
më nuk do të ndriçojnë,
sapo të lindë, dielli do të erret
e hëna dritë më s'do të bëjë.
11Do ta ndëshkoj botën për ligësinë e saj
e të paudhët për fajet e tyre,
do t'i jap fund mburrjes së kryelartëve,
do ta hedh poshtë kryeneçësinë e gjakatarëve.
12Njeriu do të jetë më i rrallë se ari i kulluar,
njerëzia më e rrallë se ari i Ofirit.
13Do ta bëj qiellin të trandet
e toka do të tundet nga vendi,
prej zemërimit të Zotit të ushtrive
ditën e shpërthimit të furisë së tij.
14Do të ndodhë si me sutën që e ndjekin pas,
si me delet që kanë mbetur pa bari.
Gjithkush do të kthehet te populli i vet,
gjithkush do t'ia mbathë drejt vendit të vet.
15Kush kapet, do të tejshpohet,
kush zihet, do të bjerë nga shpata.
16Fëmijët do t'ua copëtojnë para syve,
shtëpitë do t'ua plaçkitin,
gratë do t'ua dhunojnë.
17Ja, kundër tyre do të ngre medët,
të cilët argjendin nuk e çmojnë
e arin nuk e dëshirojnë.
18Me hark do t'ua vrasin të rinjtë,
për foshnjat në bark s'do të kenë mëshirë,
as për fëmijët s'do të duan t'ia dinë.
19Babilonia, më e bukura ndër mbretëritë,
lavdia e krenarisë së kaldenjve,
si Sodoma e Gomorra do të bëhet,
kur ta përmbysë Perëndia.
20Në të nuk do të rrijë më kush,
e pabanuar do të jetë brez pas brezi,
atje arabët nuk do të ngrenë më tenda
e barinjtë s'do të ndalen me bagëtitë.
21Veç egërsirat e shkretëtirës do të rrinë atje,
shtëpitë e tyre do të mbushen me huta,
zogjtë e strucit do të gjejnë atje strehë,
dhitë e egra do të hedhin valle.
22Në banesat e saj do të hingëllijnë hienat,
çakejtë në pallatet e saj të shtrenjta.
Koha e saj s'do të vonojë të vijë,
ditët e saj nuk kanë për të zgjatur.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr