Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 40

40
Ngushëllim për Izraelin
1Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim,
thotë Perëndia juaj.
2Flitini zemrës së Jerusalemit,
i shpallni atij,
se mori fund thirrja nën armë,
paudhësia e tij u shlye,
se dyfish u ndëshkua prej dorës së Zotit
për gjithë mëkatet e tij.
3Ja, një zë thërret:
«Bëni gati në shkretëtirë
një udhë për Zotin,
rrafshoni nëpër stepë
një shteg për Perëndinë tonë.
4Le të ngrihet lart çdo luginë,
le të ulet poshtë çdo mal e kodër,
rruga dredha-dredha le të drejtohet,
rrëpira le të bëhet e rrafshët.
5Lavdia e Zotit do të shfaqet
e atëherë çdo qenie njëherësh do të shohë,
se foli vetë goja e Zotit».
6Ja, një zë thotë: «Shpall!».
E pyeta: «Çfarë të shpall?».
«Se çdo njeri është si bari,
e mirësia e tij si lulja e fushës.
7Bari thahet e lulja vyshket,
kur fryma e Zotit puhat mbi të,
e vërtet, populli është si bari.
8Thahet bari, vyshket lulja,
por fjala e Perëndisë tonë
mbetet në amshim».
9Ngjitu mbi një mal të lartë,
ti që i sjell lajmin Sionit!
Ngrije sa më fort zërin,
ti që i sjell lajmin Jerusalemit!
Ngrije zërin e mos ki frikë,
qyteteve të Judës thuaju:
«Ja, Perëndia juaj!».
10Ja, Zoti Perëndi, po vjen me fuqi,
e krahu i tij do të sundojë.
Ja, me vete sjell shpagimin,
në prani të tij është shpërblimi.
11Si bariu do ta kullotë kopenë e tij,
me krahun e vet do t'i mbledhë qengjat,
në gji do t'i mbajë,
deleve pjellake me kujdes do t'u prijë.
Madhështia e Zotit
12Kush e ka matur me shuplakë detin
apo me pëllëmbë qiellin?
Kush e mati me masë pluhurin e tokës
apo i vuri në peshore malet e në kandar kodrat?
13Kush e drejtoi shpirtin e Perëndisë
apo i dha ndonjëherë këshilla?
14Me kë u këshillua e mësoi prej tij
apo kush ia mësoi shtegun e drejtësisë?
Kush i dha atij dije
apo i tregoi udhën e mençurisë?
15Ja, kombet janë si pika e ujit në kovë,
çmohen sa pluhuri në peshore.
Ja, ujdhesat i ngre
si të ishin kokërr pluhuri.
16Libani s'do të mjaftonte për të ndezur zjarrin,
kafshët e tij s'do të dilnin për flinë e shkrumbimit.
17Kombet mbarë s'janë asgjë para tij,
si një hiç e kotësi vlerësohen prej tij.
18Me kë, pra, ta krahasoni Perëndinë?
Ç'shëmbëllesë do të vini përballë tij?
19Idhullin e shkrin farkëtari,
me fletë ari e vesh argjendari,
vargje prej argjendi i derdh përreth.
20Më i varfri zgjedh dru që s'kalbet
e kërkon mandej një mjeshtër të ditur,
që idhullin atij t'ia punojë,
një idhull që nuk lëviz.
21A nuk e ditkeni vallë?
A nuk e paskeni dëgjuar?
A nuk ju është thënë qëmoti?
Themelimin e tokës a s'e paskeni kuptuar?
22Ai rri ulur mbi kubenë e tokës,
banorët e saj si karkaleca duken,
ai i shpalos qiejt porsi vel,
i shtrin si tendë për të banuar.
23Ai i kthen princat në hiç,
të kotë i bën gjyqtarët e tokës.
24Të porsambjellë, të porsahedhur në tokë,
pa zënë rrënjë ende kërcelli,
ai u fryn e ata thahen,
stuhia i rrëmben porsi kashtën.
25«Me kë do të më krahasoni?», pyet i Shenjti.
«Me kë vallë qenkam i ngjashëm?».
26Ngrini sytë lart e shikoni!
Kush i krijoi çka shihni?
Ai që i radhit të gjitha si ushtri,
që e thërret secilin me emër.
E madhe është fuqia e tij,
e vrullshme forca e tij,
prandaj dhe nuk mungon
asnjë prej tyre.
27Pse flet kështu, o Jakob?
Përse thua, o Izrael:
«Udha ime është e fshehur për Zotin,
Perëndia im s'kujdeset për të drejtën time?».
28A thua nuk e ditke vallë?
A thua s'e paske dëgjuar?
Zoti është Perëndia i amshimit,
ai i krijoi skajet e tokës.
As lodhet, as mundohet,
dija e tij është e pagjurmueshme.
29Ai i jep fuqi të lodhurit,
të këputurit ia shton fuqitë.
30Të rinjtë lodhen e këputen,
më të rriturit pengohen e bien.
31Por ata që shpresojnë te Zoti
përtërihen në fuqi,
marrin krahë si të shqiponjës,
vrapojnë e nuk lodhen,
ecin e nuk këputen.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 40: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr