Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 48

48
Kokëfortësia e Izraelit
1Dëgjoje këtë, o shtëpi e Jakobit,
ju që mbani emrin e Izraelit,
që keni dalë prej burimeve të Judës,
që betoheni në emër të Zotit,
që përkujtoni Perëndinë e Izraelit,
por pa besnikëri e drejtësi.
2Ata mbajnë emrin e qytetit të shenjtë
dhe mbështeten te Perëndia i Izraelit,
që e ka emrin Zoti i ushtrive.
3Unë i shpalla që më parë gjërat e shkuara,
prej gojës sime dolën, unë i lajmërova.
Veprova menjëherë e ato ndodhën.
4Sepse e dija se je kokëfortë,
se zverku yt është shufër hekuri
e se ballin e ke prej bronzi.
5Që atëherë ta parathashë,
para se të ndodhte të lajmërova,
që të mos thuash: «Këtë e bëri idhulli im.
Shëmbëlltyra e gdhendur,
bashkë me shtatoren e shkrirë,
i urdhëruan këto».
6E dëgjove këtë dhe e ke parë me sy,
përse nuk dashke ta pohosh?
E tani po të shpall gjëra të reja,
të fshehta, që s'i ke ditur më parë.
7Këto sapo u bënë e nuk janë qëmoti,
para ditës së sotme, s'i kishe dëgjuar,
që të mos thuash: «Ja, unë i dija!».
8Jo, as i ke dëgjuar, as i ke ditur,
veshi yt nuk ka qenë hapur asokohe.
Ja, unë e dija se me pabesi do të veproje,
se do të quheshe «kryeneç» që në bark të nënës.
9Për hir të emrit tim do ta mbaj zemërimin,
për lavdinë time do të përmbahem ndaj teje,
që mos të të shfaros.
10Ja, të pastrova, por jo si argjendin,
të sprovova në furrën e mjerimit.
11Për vete, për veten time e bëra këtë,
që të mos më shajnë;
lavdinë time tjetërkujt s'ia jap.
Çlirimi i Izraelit
12Më dëgjo, o Jakob,
dhe ti, o Izrael, i thirruri im:
Unë jam po ai, unë jam i pari
dhe unë jam i fundit.
13Me dorën time e themelova tokën,
me të djathtën time i shtriva qiejt.
Kur unë u thërras,
paraqiten të gjithë bashkë.
14Bashkohuni të gjithë e dëgjoni!
Cili prej tyre i ka parathënë këto?
Ai që e do Zotin,
do të bëjë dëshirën e tij,
kundër Babilonisë e kundër kaldenjve
do ta ngrejë krahun e tij.
15Unë, unë fola dhe e thirra,
unë e solla dhe mbarë do t'i shkojë udha.
16Afrohuni tek unë, dëgjojeni këtë:
që në fillim, kurrë nuk fola fshehtazi,
qëmoti, para se të ndodhte, unë isha aty;
e tani Zoti Perëndi
më dërgoi, bashkë me shpirtin e tij.
17Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt,
i shenjti i Izraelit:
Unë jam Zoti, Perëndia yt,
ai që të mëson për të mirën tënde,
që të prin udhës ku duhet të shkosh.
18Po të kishe qenë i kujdesshëm me urdhërimet e mia,
si lumi do të rridhte paqja jote,
drejtësia jote si valët e detit.
19Fara jote do të kishte qenë si rëra,
pasardhësit e tu porsi kokrrat e saj,
emri i tij nuk do të ishte shuar,
nuk do të ishte fshirë para meje.
20Dilni prej Babilonisë,
ikni larg kaldenjve!
Lajmëroni me zë gëzimi,
shpalleni këtë,
dërgoni lajm deri në skajet e tokës,
thoni: «E shpengoi Zoti shërbëtorin e tij, Jakobin».
21S'patën etje kur nëpër shkretëtirë u printe,
nxori për ta ujë prej shkëmbit,
e çau shkëmbin e rrodhën ujërat.
22Nuk ka paqe, thotë Zoti,
për të paudhët.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 48: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr