Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 42:1-12

Jeremia 42:1-12 AL1

Të gjithë prijësit ushtarakë, Johanani, biri i Kareahut, Jezaniahu, biri i Hoshajahut, dhe mbarë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, erdhën te profeti Jeremi e i thanë: «Mbaje parasysh lutjen tonë dhe lutju për ne ZOTIT, Perëndisë tënd, për tërë këtë tepricë, sepse prej shumë vetëve kemi mbetur pak, siç po na sheh vetë me sytë e tu. ZOTI, Perëndia yt, na e tregoftë udhën, në të cilën duhet të ecim dhe çfarë duhet të bëjmë». Profeti Jeremi u tha: «Mora vesh. Ja, do t'i lutem ZOTIT, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja. Pastaj do t'ju tregoj gjithçka që ZOTI do të më përgjigjet për ju. Nuk do t'ju mbaj të fshehur asgjë». Atëherë ata i thanë Jeremisë: «ZOTI qoftë dëshmitar i vërtetë e besnik kundër nesh, nëse nuk do të veprojmë në përkim me gjithçka që ZOTI, Perëndia yt, do të të dërgojë për të na thënë si duhet të veprojmë. Mirë a keq, do ta dëgjojmë zërin e ZOTIT, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë, që të na bëhet mirë, për shkak se do ta dëgjojmë zërin e ZOTIT, Perëndisë tonë». Pas dhjetë ditësh, fjala e ZOTIT iu drejtua Jeremisë. Ai thirri Johananin, birin e Kareahut, të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të e mbarë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi, e u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat t'i paraqisja lutjen tuaj: nëse do të rrini në këtë vend, unë do t'ju ngre e nuk do t'ju rrëzoj, do t'ju mbjell e nuk do t'ju shkul, se më vjen keq për të keqen që ju kam bërë. Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, që ju tremb. Mos kini frikë prej tij, kumton ZOTI, se unë do të jem me ju për t'ju shpëtuar e për t'ju çliruar prej dorës së tij. Unë do t'i kërkoj mëshirë për ju e ai do t'ju mëshirojë e do t'ju lërë në vendin tuaj.