Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 42:1-12

Jeremia 42:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Të gjithë prijësit ushtarakë, Johanani, biri i Kareahut, Jezaniahu, biri i Hoshajahut, dhe mbarë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, erdhën te profeti Jeremi e i thanë: «Mbaje parasysh lutjen tonë dhe lutju për ne ZOTIT, Perëndisë tënd, për tërë këtë tepricë, sepse prej shumë vetëve kemi mbetur pak, siç po na sheh vetë me sytë e tu. ZOTI, Perëndia yt, na e tregoftë udhën, në të cilën duhet të ecim dhe çfarë duhet të bëjmë». Profeti Jeremi u tha: «Mora vesh. Ja, do t'i lutem ZOTIT, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja. Pastaj do t'ju tregoj gjithçka që ZOTI do të më përgjigjet për ju. Nuk do t'ju mbaj të fshehur asgjë». Atëherë ata i thanë Jeremisë: «ZOTI qoftë dëshmitar i vërtetë e besnik kundër nesh, nëse nuk do të veprojmë në përkim me gjithçka që ZOTI, Perëndia yt, do të të dërgojë për të na thënë si duhet të veprojmë. Mirë a keq, do ta dëgjojmë zërin e ZOTIT, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë, që të na bëhet mirë, për shkak se do ta dëgjojmë zërin e ZOTIT, Perëndisë tonë». Pas dhjetë ditësh, fjala e ZOTIT iu drejtua Jeremisë. Ai thirri Johananin, birin e Kareahut, të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të e mbarë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi, e u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat t'i paraqisja lutjen tuaj: nëse do të rrini në këtë vend, unë do t'ju ngre e nuk do t'ju rrëzoj, do t'ju mbjell e nuk do t'ju shkul, se më vjen keq për të keqen që ju kam bërë. Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, që ju tremb. Mos kini frikë prej tij, kumton ZOTI, se unë do të jem me ju për t'ju shpëtuar e për t'ju çliruar prej dorës së tij. Unë do t'i kërkoj mëshirë për ju e ai do t'ju mëshirojë e do t'ju lërë në vendin tuaj.

Jeremia 42:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tërë krerët e forcave, Johanani, bir i Kareahut, Jezaniahu, bir i Hoshajahut, dhe tërë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, u afruan dhe i thanë profetit Jeremia: "Oh, arriftë lutja jonë para teje dhe lutju Zotit, Perëndisë tënd, për ne, për tërë këtë mbeturinë (sepse nga shumë që ishim kemi mbetur pak, si po e vë re me sytë e tu), me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të na tregojë udhën nëpër të cilën duhet të ecim dhe atë që duhet të bëjmë". Profeti Jeremia u tha atyre: "E mora vesh! Ja, do t'i lutem Zotit, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja dhe do t'ju bëj të ditur tërë ato që Zoti do t'ju thotë; nuk do t'ju fsheh asgjë". Atëherë ata i thanë Jeremias: "Zoti le të jetë dëshmitar i vërtetë dhe besnik kundër nesh, po qe se ne nuk do të veprojmë sipas çdo fjale që Zoti, Perëndia yt, do të dërgojë të na thotë nëpërmjet teje. Qoftë përgjigjja e tij e pëlqyer ose e papëlqyer, ne do t'i bindemi zërit të Zotit, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë me qëllim që të na vinë të mira duke iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë tonë". Pas dhjetë ditësh ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Jeremias. Atëherë ai thirri Johananin, birin e Kareahut, tërë krerët e forcave që ishin bashkë me të dhe tërë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi, dhe u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat me qëllim që t'i paraqitja lutjen tuaj: "Në rast se vazhdoni të rrini në këtë vend, unë do t'ju vendos dhe nuk do t'ju shkatërroj, do t'ju mbjell dhe nuk do t'ju çrrënjos, sepse po pendohem për mjerimin që kam sjellë mbi ju. Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, prej të cilit trembeni; mos kini frikë prej tij", thotë Zoti, "sepse unë jam me ju, për t'ju shpëtuar dhe për t'ju çliruar nga dora e tij. Unë do të jem i mëshirshëm me ju me qëllim që edhe ai të jetë i mëshirshëm me ju dhe t'ju bëjë të ktheheni në vendin tuaj".