Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 13

13
Toka të papushtuara
1Jozuehu ishte plak e i thyer në moshë tashmë. Atëherë Zoti i tha: «Ti je plakur e je në moshë të thyer, por mbetet ende një pjesë e madhe e vendit për t'u pushtuar. 2Toka që mbetet për t'u pushtuar përfshin krahinat e filistinëve e të geshuritëve, 3nga Shihori, përballë Egjiptit, e deri në kufijtë e Ekronit në veri. Kjo është tokë kananite e ndahet në pesë principata filistinësh, principata e Gazës, e Ashdodit, e Ashkelonit, e Gatit dhe e Ekronit, si dhe trojet e avitëve 4në jug. Mbetet tërë toka e kananitëve, nga Arahu, që i përket sidonasve, deri në Afek e deri në kufijtë e amoritëve. 5Mbetet edhe toka e gibelitëve dhe tërë krahina e Libanit lindor, nga Gad Baali, në rrëzë të malit Hermon, deri në Lebo Hamat, 6tërë banorët e malësisë, nga Libani e deri tek ujërat e Misrepotit, ku banojnë sidonasit. Do të jem unë ai që do t'i dëboj para syve të izraelitëve. Ti do t'ua japësh tokën për pronë izraelitëve, siç të kam urdhëruar. 7Ndajua, pra, këtë vend me short nëntë fiseve të mbetura e gjysmës së fisit të Manaseut».
Ndarja e tokës në Bregun Lindor
8Moisiu i dha për pronë fisit të Rubenit e të Gadit, si dhe gjysmës së fisit të Manaseut, tokën përtej Jordanit, në bregun lindor të tij, 9nga Aroeri, në breg të përroit të Arnonit, dhe nga qyteti në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, deri në Dibon. 10U dha edhe të gjitha qytetet e Sihonit, mbretit të amoritëve, që sundonte në Heshbon, në kufi me amonitët, 11Gileadin, trojet e geshuritëve dhe të makatitëve, tërë malin e Hermonit e gjithë Bashanin, deri në Salkah. 12Edhe tërë mbretërinë e Ogut të Bashanit, që sundonte në Ashtarot e në Edrej. Ogu ishte njëri prej refaitëve të fundit. Ata i kishte mposhtur Moisiu e i kishte dëbuar nga tokat e tyre. 13Por izraelitët nuk i dëbuan geshuritët e makatitët, që banojnë edhe sot e kësaj dite në Geshur e në Makat.
14Vetëm fisit të Levit nuk i kishte dhënë trashëgimi, sepse trashëgimia e tyre janë flijimet për Zotin, Perëndinë e Izraelit, siç i kishte thënë Zoti.
15Toka që Moisiu i dha fisit të Rubenit e pasardhësve të tij, sipas klaneve 16fillonte në Aroer, në bregun e përroit të Arnonit, përfshinte qytetin që ndodhet në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, 17Heshbonin e të gjitha qytetet që ndodheshin në rrafshnaltë, Dibonin, Bamot Baalin, Bet Baal Meonin, 18Jahacin, Kedmotin, Mefatin, 19Kirjataimin, Sibmahun, Ceret Shaharin, që ndodhet në kodrat përmbi luginë, 20Betpeorin, shpatet e Pisgahut, Bet Jeshimotin 21e të gjitha qytetet e mbretërisë së Sihonit, mbretit të amoritëve, që kishte mbretëruar në Heshbon, e që Moisiu e kishte mposhtur, bashkë me princat e Midianit, Eviut, Rekemit, Curit, Hurit e Rebës, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë tokë. 22Izraelitët kishin vrarë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit, shortarin. 23Kufiri i pasardhësve të Rubenit ishte lumi i Jordanit. Kjo është prona që morën si trashëgimi pasardhësit e Rubenit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre.
24Toka që Moisiu i dha fisit të Gadit e pasardhësve të tij, sipas klaneve, 25fillonte në Jazer, përfshinte të gjitha qytetet e Gileadit, gjysmën e tokës së amonitëve deri në Aroer, përballë Rabahut, 26shtrihej nga Heshboni në Ramah Micpah, në Betonim e nga Mahanaimi deri në kufijtë e Lo Debarit. 27Përfshinte edhe luginën ku gjenden Bet Harami, Bet Nimrahu, Sukoti, Cafoni dhe pjesa e mbetur të mbretërisë së Sihonit, mbretit të Heshbonit. Toka e tyre ka për kufi Jordanin e shkon deri në bregun e detit të Kineretit, përtej Jordanit, në bregun lindor. 28Kjo është trashëgimia e pasardhësve të Gadit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre.
29Toka që Moisiu i dha gjysmës së fisit të Manaseut, pra, gjysmës së pasardhësve të Manaseut, sipas klaneve 30përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit dhe të gjitha fshatrat e Jairit. Gjithsej gjashtëdhjetë qytete të Bashanit. 31Trojet përfshinin edhe gjysmën e Gileadit, Ashtarotin, Edrejin, qytetet e mbretërisë së Ogut në Bashan, që iu dhanë njërës pjesë të pasardhësve të Makirit, birit të Manaseut, sipas klaneve.
32Këto janë pronat që ndau Moisiu në stepat e Moabit, në bregun lindor të Jordanit, kundruall Jerikosë. 33Moisiu nuk i dha trashëgimi fisit të Levit, sepse trashëgimia e tyre është Zoti, Perëndia i Izraelit, siç u kishte thënë vetë Zoti.

Aktualisht i përzgjedhur:

Jozuehu 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr