Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 16

16
Dita e shlyerjes
1Pas vdekjes së dy bijve të Aronit, që u vranë kur iu afruan pranisë së Zotit, Zoti i foli Moisiut. 2Zoti i tha Moisiut: «Fol me vëllanë tënd, Aronin, dhe thuaji të mos hyjë në çfarëdo kohe në shenjtërore, përtej velit, para pajtimores që mbulon arkën e besëlidhjes, që të mos vdesë. Unë do të shfaqem në renë përmbi pajtimore. 3Kur të hyjë në shenjtërore, Aroni të marrë një mëzat për fli mëkati e një dash për fli shkrumbimi. 4Të veshë drejt e në mish këmishën e shenjtë dhe mbathjet prej liri, të ngjishet me brez prej liri dhe në kokë të vërë kësulë prej liri. Këto janë veshjet e shenjta që duhet t'i veshë pasi ta ketë larë trupin me ujë.
5Prej bashkësisë së izraelitëve të marrë dy cjep për fli mëkati e një dash për fli shkrumbimi. 6Aroni ta kushtojë mëzatin si fli për mëkatin e vet dhe të bëjë shlyerjen për veten e për shtëpinë e tij. 7Të marrë dy cjeptë e t'i vendosë para Zotit te hyrja e tendës së takimit. 8Mandej Aroni të hedhë short mbi dy cjeptë, njërin për Zotin e tjetrin për Azazelin. 9Cjapin, mbi të cilin ra shorti për Zotin, ta kushtojë si fli për mëkatin, 10ndërsa cjapin, mbi të cilin ra shorti për Azazelin, ta vendosë të gjallë para Zotit, për të bërë mbi të shlyerjen, duke e lënë të shkojë tek Azazeli në shkretëtirë.
11Aroni ta marrë mëzatin e flisë për mëkatin, me të cilin do të bëjë shlyerjen për veten dhe për shtëpinë e tij, dhe ta therë. 12Mandej të marrë temjanicën e ta mbushë me prush prej altarit që është para Zotit, të mbushë edhe grushtin me temjan erëmirë e të hyjë në shenjtërore përtej velit. 13Temjanin erëmirë ta hedhë mbi prush para Zotit, që reja e temjanit të mbulojë pajtimoren që është mbi dëshminë. Kështu, Aroni nuk ka për të vdekur.
14Mandej të marrë prej gjakut të mëzatit e të spërkatë me gisht pajtimoren në anën lindore. Të spërkatë prej gjakut me gisht edhe shtatë herë përballë pajtimores. 15Pasi ta ketë therur cjapin për flinë e mëkateve të popullit, ta sjellë gjakun e tij brenda velit dhe të veprojë siç bëri me gjakun e mëzatit, duke e spërkatur mbi pajtimoren dhe përballë saj. 16Kështu do të kryejë shlyerjen e shenjtërores prej papastërtive të izraelitëve dhe prej paudhësive e mëkateve të tyre. Ashtu të veprojë edhe me tendën e takimit, që ndodhet ndër ta, mes papastërtive të tyre. 17Askush të mos jetë në tendën e takimit kur të hyjë prifti në shenjtërore e derisa të dalë prej saj, kur ai të kryejë shlyerjen për veten, për shtëpinë e tij dhe për mbarë bashkësinë e Izraelit. 18Kur të shkojë tek altari para Zotit për të kryer shlyerjen për të, të marrë prej gjakut të mëzatit e të cjapit dhe të lyejë brirët e altarit. 19Mandej ta spërkatë altarin shtatë herë me gisht për ta pastruar e për ta shenjtëruar prej papastërtive të izraelitëve.
20Pasi të ketë kryer shlyerjen për shenjtëroren, për tendën e takimit dhe për altarin, të sjellë cjapin e gjallë. 21Aroni t'i vërë të dyja duart mbi kokën e cjapit të gjallë dhe të rrëfejë mbi të gjithë paudhësinë, shkeljet dhe mëkatet e izraelitëve, duke i vënë mbi kokën e cjapit. Pastaj ta çojë në shkretëtirë me një njeri të caktuar për këtë. 22Cjapi do t'i mbartë mbi vete të gjitha paudhësitë në një tokë të shkretë. Ai njeri do ta lërë cjapin të lirë në shkretëtirë.
23Pastaj Aroni të hyjë në tendën e takimit, të heqë rrobat e linjta, që kishte veshur kur hyri në shenjtërore, e t'i lërë atje. 24Të lahet me ujë në vendin e shenjtë, të vishet, të dalë për të kushtuar flinë e vet të shkrumbimit dhe flinë e shkrumbimit të popullit dhe të bëjë shlyerjen për veten dhe për popullin. 25Dhjamin e flisë për mëkatin ta djegë mbi altar. 26Ai që çoi cjapin për Azazelin, të lajë rrobat dhe trupin me ujë e pastaj të hyjë në fushim.
27Mëzati i flisë për mëkatin dhe cjapi i flisë për mëkatin, gjaku i të cilëve u soll në shenjtërore për të bërë shlyerjen, të nxirren jashtë fushimit e t'u digjen në zjarr lëkurat, mishi e rropullitë. 28Ai që do t'i djegë, të lajë rrobat dhe trupin me ujë dhe të hyjë në fushim.
29Ky është rregull i përhershëm për ju: në muajin e shtatë, ditën e dhjetë të muajit, do të përulni veten dhe nuk do të bëni asnjë punë, as vendasi e as i huaji që banon ndër ju. 30Atë ditë prifti të bëjë shlyerjen për ju, për t'ju pastruar prej të gjitha mëkateve që të jeni të pastër para Zotit. 31Do të jetë për ju një ditë pushimi e plotë, kur të përulni veten. Ky është rregull i përhershëm. 32Shlyerjen ta kryejë prifti që është vajosur e shuguruar për të shërbyer si prift në vend të të atit. Prifti të vishet me rrobat e shenjta prej liri 33dhe të kryejë shlyerjen për shenjtëroren e shenjtë, për tendën e takimit dhe për altarin. Të kryejë shlyerjen edhe për priftërinjtë dhe për mbarë popullin e bashkësinë. 34Ky është rregull i përhershëm për ju në lidhje me shlyerjen e të gjitha mëkateve të izraelitëve, një herë në vit».
U bë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Aktualisht i përzgjedhur:

Levitiku 16: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr