Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nehemia 6:1-13

Nehemia 6:1-13 AL1

Kur Sanbalati, Tobia, Geshem Arabi dhe armiqtë e tjerë morën vesh se e kisha ndërtuar murin e nuk kishte të çara në të, edhe pse nuk ua kisha vënë ende kanatet portave, Sanbalati e Geshemi më dërguan njerëz për të më thënë: «Eja të takohemi në Kefirim, në rrafshin e Onosë», por ata synonin të më bënin keq. Atëherë unë u dërgova lajmëtarë, për t'u thënë: «Kam shumë punë e nuk mund të vij. Pse ta lë punën e të vij te ju?». Ata dërguan katër herë njerëz për të më thënë këtë gjë e unë iu përgjigja me të njëjtat fjalë. Herën e pestë Sanbalati dërgoi tek unë një shërbëtor, i cili mbante në dorë një letër të hapur, ku ishte shkruar: «Po dëgjohet ndër kombe, e kështu thotë edhe Gashmui, se ti dhe judenjtë po kurdisni një kryengritje, prandaj jeni duke e ndërtuar murin. Sipas këtyre njoftimeve, ti po përgatitesh të bëhesh mbreti i tyre, madje ke caktuar edhe profetë, të cilët duhet të kumtojnë për ty në Jerusalem: “Në Judë ka mbret!”. Mirëpo mbreti do t'i marrë vesh këto lajme, prandaj eja të këshillohemi bashkë». Unë i dërgova këtë përgjigje: «Gjërat nuk janë siç thua ti, por je ti që i ke shpikur». Në të vërtetë ata donin të na frikësonin e thoshin: «Do t'u kapiten duart e vepra nuk do të kryhet». Mirëpo duart e mia u bënë më të forta. Atëherë shkova në shtëpinë e Shemajahut, birit të Delajahut, të birit të Mehetabelit, i cili rrinte mbyllur brenda. Ai më tha: «Të takohemi në shtëpinë e Perëndisë, brenda tempullit e t'ia mbyllim dyert tempullit, sepse po vijnë të të vrasin. Brenda natës do të vijnë të të vrasin». Por unë thashë: «A mund të ikë një burrë si unë? A mund të hyjë në tempull, për të mbetur gjallë, një burrë si unë? Jo, nuk do të hyj». E kuptova se nuk e kishte dërguar Perëndia dhe se e kishin paguar Tobia e Sanbalati për profecinë që më shpalli. E kishin paguar, që unë të trembesha, të veproja ashtu e të mëkatoja, që ata të më përmendnin për keq e të më turpëronin.