Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 1

1
1Fjalët e urta të Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit:
2për të njohur urtinë e rregullin,
për të nxënë fjalët e mençura,
3për të pranuar qortimet e mprehta,
drejtësinë, gjykimin e çiltërsinë,
4për t'u dhënë thjeshtakëve zgjuarsinë,
të rinjve njohjen e shestimin.
5Le të dëgjojë i urti e t'i shtohet dija,
ndërsa i kuptueshmi le të marrë udhëzime,
6për të kuptuar fjalët e urta dhe enigmat,
thëniet e të diturve e gjëegjëzat e tyre.
7Droja e Zotit është fillimi i njohjes,
por të marrët e përçmojnë dijen e rregullin.
I urti ikën nga shoqëria e keqe
8Dëgjo, biri im, qortimin e atit tënd
e mos lër pas dore udhëzimet e nënës sate,
9se si kurorë e hijshme mbi kokë do të të rrinë
e porsi varëse rreth qafës tënde.
10Biri im, nëse mëkatarët të ngucin,
mos u vër vesh.
11Po të thonë: «Eja me ne!
Të zëmë pritë për gjak,
t'i ngremë kurth të pafajshmit, më kot;
12t'i përpijmë të gjallë, si skëterra,
njëcopësh, si ata që zbresin në varr,
13të përlajmë çdo gjë të çmueshme
e t'i mbushim shtëpitë me plaçkë;
14hidh short me ne
e do të mbajmë një qese për ne të gjithë»,
15ti, biri im, mos shko udhës së tyre,
të mos shkelë këmba jote në atë shteg,
16se këmbët e tyre turren drejt së keqes
e nxitojnë për të derdhur gjak.
17Para syve të shpendëve
më kot hidhet rrjeta,
18por këta zënë pritë kundër gjakut të vet,
ngrenë kurth kundër vetes.
19I tillë është fati i zhvatësit:
i merr jetën të zotit të vet.
Thirrja e urtisë
20Urtia thërret udhëve,
ngre zërin shesheve,
21njofton në krye të rrugëve të zhurmshme
e në dyert e qyteteve jep kumte:
22«Deri kur, o thjeshtakë, do ta doni papjekurinë?
Deri kur tallësit do të kënaqen së talluri
e të marrët do të urrejnë njohjen?
23Kthehuni e vëruni vesh qortimeve të mia!
Ja, po hap zemrën#1.23 ose: derdh shpirtin para jush
e po ju bëj të ditura fjalët e mia:
24ju thirra e ju më përzutë,
ju shtriva dorën e askush s'më vuri re.
25I shpërfillët tërë këshillat e mia
e nuk i deshët qortimet e mia.
26Edhe unë do të qeshem me kobet tuaja,
do të tallem kur t'ju zërë frika,
27kur tmerri të përplaset mbi ju si stuhi
e kobi si thëllim,
kur të jeni në ngushticë e në ankth.
28Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do të përgjigjem,
do të më kërkojnë me ngulm, por nuk do të më gjejnë.
29Ngaqë ata e urryen njohjen
e nuk zgjodhën drojën e Zotit,
30nuk ndoqën as këshillën time
dhe i përçmuan të gjitha qortimet e mia,
31ata do të hanë frytet e sjelljes së tyre
e do të ngopen me këshillat e veta.
32Bjerrja e thjeshtakëve do t'i rrënojë
e mendjelehtësia e të marrëve do t'i shkatërrojë,
33por kush më dëgjon mua do të jetojë i qetë
e do të prehet pa frikë nga e keqja».

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 1: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr