Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 17:1-28

Fjalët e urta 17:1-28 AL1

Më mirë një kafshatë e thatë me qetësi, se një shtëpi plot gosti e grindje. Shërbëtori i mençur e sundon birin që turpëron, ai do të marrë trashëgiminë ndër vëllezër. Për argjendin është shkritorja e për arin furra, por zemrat i sprovon ZOTI. Keqbërësi u vë mend fjalëve të mbrapshta, gënjeshtari i vë vesh gjuhës rrënimtare. Kush tallet me skamnorin, fyen krijuesin e tij, kush gëzohet me kobin nuk mbetet pa ndëshkuar. Kurora e pleqve janë bijtë e bijve, nderi i bijve janë prindërit e tyre. Të pamendit s'i shkon e folmja e zgjedhur e aq më pak të fismit gjuha gënjeshtare. Dhurata është gur fati për të zotin, ngado që të shkojë, përparon. Kush e harron fajin, kërkon miqësi, kush e ritregon, e përçan mikun. Një qortim zë vend te një i mençur më shumë se njëqind të rrahura te një i marrë. I ligu kërkon vetëm grindje, ndaj do t'i dërgohet një lajmës mizor. Më mirë të hasësh arushën që i kanë rrëmbyer të vegjlit, sesa të marrin në çartjen e tij. Atij që e kthen të mirën me të keqe, e keqja s'do t'i hiqet nga shtëpia. Fillimi i grindjes është si e çara që hap uji, lëre zënkën para se të shpërthejë. Shfajësimi i të paudhit e dënimi i të drejtit, të dyja këto i neveriten ZOTIT. Ç'duhen paratë në dorën e të marrit? Për të blerë urtinë kur nuk ka mend? Miku është i dashur në çdo kohë; vëllai ka lindur për kohë të vështirë. Është i pamend kush shtrëngon dorën e hyn dorëzanë te i afërti i vet. Kush do grindjen, do mëkatin; kush e mban veten për derë të madhe, kërkon rrënimin. Kush është zemërlig, nuk do të gjejë mirë; kush është gjuhëgjarpër, do ta zërë e keqja. Kush lind një të marrë, e lind për të zezë të vet; i ati i të shkalluarit nuk do të gëzojë. Zemra e hareshme balsam për shëndetin, shpirti i këputur than eshtrat. I paudhi merr dhurata nën dorë për të dredhuar shtigjet e drejtësisë. Njeriu i mençur e mban parasysh urtinë, por sytë e të marrit enden nëpër skajet e tokës. Një djalë i marrë është brengë për të atin e hidhërim për gruan që e lindi. Nuk është mirë të gjobitësh të drejtin apo të ndëshkosh të fismin kur është në të drejtë. Kush flet pak, di shumë, kush sundon veten, është i mençur. Po të heshtte, edhe i marri do të dukej i urtë, i mprehtë, po të mbante gojën.