Biri im, mos i harro udhëzimet e mia
e mbaj në zemër urdhërimet e mia,
se ditë të shumta, vite jete
e paqe do të të japin.
Mos të lëntë mirësia, as besnikëria,
ndaj vari rreth qafës
e shkruaji mbi rrasën e zemrës sate,
se do të gjesh përkrahje e pëlqim
para Perëndisë e para njerëzve.
Beso në ZOTIN me gjithë zemër
e mos u mbështet në zgjuarsinë tënde.
Mendo për të në të gjitha udhët e tua
e ai do të t'i drejtojë shtigjet.
Mos të të duket vetja i urtë,
por druaj ZOTIN e largohu nga e keqja.
Kjo do të jetë shërim për trupin tënd
e freskim për eshtrat e tua.
Ndero ZOTIN me tërë begatinë tënde,
me frytet e para të çdo të vjele,
se drithnikët e tu do të mbushen plot
e vozat e tua do të pëlcasin nga vera.
Biri im, mos e shpërfill mësimin e ZOTIT
e mos u bezdis nga qortimi i tij,
se ZOTI e ndreq atë që e do,
porsi një atë birin e dashur.
Lum njeriu që e ka gjetur urtinë,
lum ai që ka kapur arsyen,
është më e vlefshme se argjendi,
më e dobishme se ari,
më e çmueshme se margaritarët,
e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi.
Në të djathtë mban jetëgjatësinë,
në të majtë pasurinë e nderin.
Udhët e saj janë të këndshme,
tërë shtigjet e saj të paqme.
Për kë e rrok atë, ajo është pema e jetës;
lum ai që kapet pas saj.
ZOTI e themeloi tokën me urti
e me mençuri i nguliti qiejt.
Me dijen e tij shpërthyen humnerat
e retë pikuan vesën.
Biri im, mos i hiq sysh këto gjëra,
ruaj mençurinë e maturinë,
se do të jenë jetë për ty,
stoli rreth qafës sate.
Atëherë do të ecësh i sigurt udhës sate
e këmba jote nuk do të pengohet.
Kur të biesh në shtrat, s'do të trembesh,
do të biesh e do të bësh gjumë të ëmbël.
Mos ki frikë nga tmerri i beftë
a nga shkretimi i të paudhëve, kur të vijë,
se ZOTIN pranë do ta kesh
e do të ta ruajë këmbën nga leqet.
Po të jetë në dorën tënde,
mos ia moho të mirën atij që i takon.
Po të kesh,
mos i thuaj të afërtit: «Shko e eja nesër, se do të t'jap».
Mos kurdis të keqen kundër të afërtit tënd
që me ty banon i qetë.
Mos u grind kot me asnjeri
nëse nuk të ka bërë keq.
Mos e lakmo njeriun e dhunshëm
e mos ndiq udhët e tij,
se ZOTI ka neveri për dinakun,
por me të drejtin është i dashur.
Në shtëpinë e të paudhit rëndon mallkimi i ZOTIT,
por ai bekon banesën e të drejtit.
Me tallësit ai tallet,
por të përulurit i përkrah.
Të urtët do të trashëgojnë nderin,
kurse të marrët turpin.