Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 5

5
Për gratë dhe dashurinë
1Biri im, vërja mendjen urtisë sime
vëri vesh arsyetimit tim,
2që të ruash gjykimin
e buzët e tua t'i përmbahen njohjes.
3Buzët e së huajës pikojnë mjaltë,
më e butë se vaji është gojë e saj,
4porse në fund e hidhur si pelini,
e mprehtë si shpata me dy tehe është.
5Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes,
hapat e saj çojnë drejt e në skëterrë,
6shpërfillshëm për udhën e jetës
enden pa ditur në ç'shteg.#5.6 të tjerë: por ti nuk e kupton
7Ndaj dëgjomëni, o bij,
e mos ikni nga fjalët e gojës sime:
8larg saj mbaje udhën tënde
e mos iu avit pragut të shtëpisë së saj,
9që të mos ua dorëzosh të tjerëve nderin tënd
e ndonjë të pashpirti vitet e tua;
10të mos i shërbejë forca jote të huajit,
e mundi yt shtëpisë së ardhacakut;
11që të mos vajtosh mbi fatin tënd,
e, ndërsa merr fund mishi e trupi yt,
12të thuash: «Si e urreva rregullin,
si e përbuzi zemra ime qortimin?
13Si s'e dëgjova zërin e udhërrëfyesit tim?
Si s'u vura vesh mësuesve të mi?
14Për pak u gjeta në të keqen e madhe
përpara bashkësisë e kuvendit».
15Pi ujë prej sternës sate,
atë që gurron nga pusi yt,
16që të mos rrjedhin përjashta burimet e tua
e rrëketë e ujit nëpër sheshe,
17por të jenë për ty, vetëm për ty
e jo për të huajt bashkë me ty.
18Qoftë bekuar gurra jote!
Gëzohu me gruan e rinisë sate:
19drenushë e dashur, sorkadhe e hijshme.
Ndër gjinjtë e saj gjetsh kënaqësi
e dashuri' e saj të dehtë përherë.
20Përse, o biri im, joshesh nga e panjohura
e bie në krahët e së huajës?
21Udhët e njeriut janë para syve të Zotit,
ai i shqyrton të gjitha shtigjet e tij.
22Të prapin e zë prapësia e vet,
e zë laku i mëkateve të veta.
23Ai do të vdesë nga mosbindja e vet,
do të humbasë nga marrëzia e vet.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 5: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr