O ZOT, dëgjoje lutjen time,
vëri vesh përgjërimit tim, ti që je besnik,
përgjigjmu, ti që je i drejtë.
Mos bëj gjyq me shërbëtorin tënd,
se asnjë i gjallë nuk del i drejtë para teje.
Po më ndjek pas armiku,
jetën ma ka hedhur përdhe.
Më ka dëbuar në skuta të errëta,
porsi të vdekurit e kahershëm.
Ndaj po më zihet fryma,
përbrenda po më dridhet zemra.
Më kujtohen ditët e qëmoçme,
mendoj për gjithë veprat e tua,
sjell ndër mend punët e duarve të tua.
I kam shtrirë duart drejt teje,
shpirti im ka etje për ty, si toka e thatë. selah
Përgjigjmu shpejt, o ZOT,
se mbeta pa frymë.
Mos e fshih fytyrën prej meje,
që të mos bëhem si ata që zbresin në varr.
Shpallmë mirësinë tënde që në mëngjes,
se te ti kam besim.
Tregomë udhën ku duhet të eci,
se drejt teje e lartësoj shpirtin tim.
Shpëtomë nga armiqtë e mi, o ZOT,
se te ti kam kërkuar strehë.
Mësomë të bëj vullnetin tënd,
se ti je Perëndia im.
Shpirti yt i mirë do të më prijë në vend të sheshtë.
Jepmë sërish jetë, o ZOT, për hir të emrit tënd,
nxirrmë nga hidhërimi, ti që je i drejtë.
Shfarosi armiqtë e mi, ti që je i mirë,
shkatërroji të gjithë kundërshtarët e mi,
se unë jam shërbëtori yt.