Mos u zemëro nga keqbërësit,
ata që bëjnë paudhësi mos i lakmo.
Se ata do të thahen shpejt si bari,
do të vyshken si barishtja e njomë.
Beso në ZOTIN e bëj të mirën,
bano në këtë tokë e shijo besnikërinë e tij.
Gjeje kënaqësinë te ZOTI
e ai do t'i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Lëre udhën tënde në duart e ZOTIT,
ki besim tek ai e ai do të veprojë.
Drejtësinë tënde do ta bëjë të shndritë si drita,
të drejtën tënde porsi mesdita.
Hesht para ZOTIT e prite me durim,
mos u zemëro me atë që i shkon mbarë,
me njeriun që thur dredhi.
Hiq dorë nga zemërimi e rri larg tërbimit,
mos u zemëro, që të mos bësh të keqen.
Se keqbërësit do të shfarosen,
por ata që shpresojnë në ZOTIN do të trashëgojnë tokën.
Edhe pak e i paudhi nuk do të jetë më.
Do të shohësh për nga vendi i tij
e nuk do të jetë më atje.
Skamnorët do të trashëgojnë tokën
e do të kënaqen me paqe të begatë.
I paudhi ngre kurthe kundër të drejtit
e kërcëllin dhëmbët kundër tij.
Por Zoti do të qeshë me të,
se e sheh që po i vjen dita.
Të paudhët vringëllojnë shpatën e harkun ndehin,
për të plandosur të mjerin e nevojtarin,
për të shfarosur ata që ecin udhës së drejtë.
Shpata do t'u hyjë në zemrën e vet,
harqet e tyre do të thyhen.
Më mirë ajo pak që ka i drejti,
sesa pasuria e shumë të paudhëve.
Krahët e të paudhëve do të thyhen,
ndërsa të drejtët i përkrah ZOTI.
ZOTI i njeh mirë ditët e të ndershmëve,
trashëgimia e tyre do të mbetet përherë.
Ata nuk do të turpërohen në kohë fatkeqësie,
të nginjur do të jenë edhe në ditë urie.
Por të paudhët do të marrin fund,
armiqtë e ZOTIT do të vyshken si bukuria e lëndinës,
si tymi do të fashiten.
I paudhi merr hua e nuk e kthen,
ndërsa i drejti tregon mëshirë e jep.
Të bekuarit do të trashëgojnë tokën,
të mallkuarit do të shfarosen.
Se ZOTI i forcon hapat e njeriut,
kur i pëlqen udha e tij.
Po të rrëzohet, nuk do të dërrmohet,
se ZOTI e mban për dore.
Kam qenë i ri e tashmë jam plakur
dhe s'e kam parë të drejtin të braktisur,
as pasardhësit e tij të lypin për bukë.
Gjithë ditën tregohet i mëshirshëm e jep hua,
pasardhësit e tij do të jenë të bekuar.
Kthehu prej së keqes, bëj të mirën
dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
Se ZOTI e do drejtësinë
dhe besnikët e vet nuk i braktis, por i ruan përjetë,
ndërsa pasardhësit e të paudhëve do të shfarosen.
Të drejtët do të trashëgojnë tokën
e në të do të banojnë përherë.
Goja e të drejtit ligjëron urti,
gjuha e tij shpall gjykim të drejtë.
Ligjin e Perëndisë së vet e ka në zemër,
hapat e tij nuk do të lëkunden.
I paudhi e përgjon të drejtin
dhe kërkon ta vrasë.
Por ZOTI nuk do ta lërë në duart e tij
dhe, nëse e gjykojnë, s'do të lejojë ta dënojnë.
Prite ZOTIN e mbaj udhën e tij.
Ai do të të madhërojë, që të trashëgosh tokën,
dhe ke për të parë shfarosjen e të paudhëve.
E pashë të paudhin tek bëhej i furishëm,
tek harlisej si pema tërë gjethe.
Por ja që u shua e më nuk është,
e kam kërkuar, por s'e kam gjetur dot.
Vështroje të përkryerin e shihe të drejtin,
njeriut të paqes i përket e ardhmja.
Të gjithë ligjshkelësit do të shkatërrohen,
të paudhët nuk do të kenë të ardhme.
Shpëtimi i të drejtit vjen prej ZOTIT,
ai është streha e tyre në kohë fatkeqësie.
ZOTI i ndihmon e i çliron,
ai i çliron nga të paudhët e i shpëton,
se tek ai gjetën strehë.