Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 51

51
1Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. 2Kur erdhi tek ai profeti Natan, pasi Davidi kishte shkuar me Batshebën.
3Ki mëshirë për mua, o Perëndi,
në mirësinë tënde,
në dhembshurinë tënde të madhe,
fshiji paudhësitë e mia.
4Lamë tërësisht prej fajit tim,
prej mëkatit tim pastromë.
5I njoh paudhësitë e mia,
mëkatin tim e shoh përherë.
6Ndaj teje, vetëm ndaj teje mëkatova,
bëra ligësi para syve të tu.
Prandaj, je i drejtë në vendimet e tua
dhe i paqortueshëm kur gjykon.
7Ja, unë linda në paudhësi,
në mëkat më ngjizi ime më.
8Ti e do të vërtetën në brendinë e qenies,
ndaj bëmë të njoh urtinë në thellësitë e mia.
9Pastromë me hisop e do të bëhem i pastër,
lamë e do të jem më i bardhë se dëbora.
10Bëmë të ndiej gëzim e ngazëllim
e do të gëzohen eshtrat që thërrmove.
11Ktheje fytyrën tënde larg mëkateve të mia
e fshiji tërë fajet e mia.
12Krijo tek unë një zemër të pastër, o Perëndi,
përtëri brenda meje një shpirt të palëkundur.
13Mos më dëbo nga prania jote
e mos ma hiq shpirtin tënd të shenjtë.
14Kthema gëzimin e shpëtimit tënd
dhe kalit në mua një shpirt vullnetmirë.
15Do t'u mësoj ligjshkelësve udhët e tua
e mëkatarët do të kthehen te ti.
16Shpëtomë nga gjakderdhja, o Perëndi,
Perëndia i shpëtimit tim,
gjuha ime do të brohorasë për drejtësinë tënde.
17O Zot, hapi buzët e mia
e goja ime do të shpallë lavdinë tënde.
18Po ta doje flinë do ta sillja,
por flija e shkrumbimit nuk të pëlqen.
19Fli për Perëndinë është shpirti i penduar;
zemrën e thyer e të copëtuar,
o Perëndi, ti nuk e përbuz.
20Bëji mirë Sionit në mirëdashjen tënde,
ndërtoji muret e Jerusalemit.
21Atëherë do t'i pëlqesh flitë e drejtësisë,
fli shkrumbimi e fli të djegura tërësisht;
atëherë do të kushtojnë viça mbi altarin tënd.

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 51: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr