Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 66

66
1Mjeshtrit të korit. Këngë. Psalm.
Brohoritni për Perëndinë
gjithë ju banorët e tokës!
2Këndojini emrit të tij të lavdishëm,
bëjeni të madhërishëm përlëvdimin e tij!
3Thuajini Perëndisë: «Të mrekullueshme janë veprat e tua!
Aq e madhërishme është fuqia jote,
sa armiqtë të bëjnë lajka.
4Gjithë banorët e tokës përkulen para teje
e të këndojnë himne,
i këndojnë himne emrit tënd». selah
5Ejani e shihni ç'ka bërë Perëndia,
sa i mrekullueshëm është
kur vepron për njerëzit.
6Detin e shndërroi në tokë të thatë,
lumin e kaluan në këmbë,
prandaj le të gëzojmë në të.
7Ai sundon në amshim me fuqinë e tij,
sytë e tij vëzhgojnë kombet,
kryeneçët të mos krenohen. selah
8Bekoni, o popuj, Perëndinë tonë
dhe le të dëgjohet zëri i përlëvdimit.
9Ai na jep jetë,
e nuk lejon të na rrëshqasin këmbët.
10Ti na vure në provë, o Perëndi,
na sprovove si argjendin në zjarr.
11Na bëre të biem në kurth,
barrë të rëndë na ngarkove.
12I le njerëzit të na hipin në qafë,
përmes zjarrit dhe ujit kaluam,
por ti na nxore në vend të begatë.
13Me fli shkrumbimi do të hyj në shtëpinë tënde,
betimet e bëra do t'i mbaj,
14betimet që shqiptuan buzët e mia,
që goja ime tha kur isha ngushtë.
15Do të të kushtoj fli të majme shkrumbimi,
bashkë me aromën e deshve që digjen,
qe e cjep do të të flijoj. selah
16Ejani e dëgjoni të gjithë ju që Perëndinë druani,
do t'ju tregoj ç'bëri për mua.
17Atij i thirra me gojën time,
me gjuhën time e madhërova.
18Po të kisha ligësi në zemrën time,
Zoti nuk do të më dëgjonte.
19Por Perëndia më dëgjoi
dhe e mbajti vesh lutjen time.
20Bekuar qoftë Perëndia,
që nuk e hodhi poshtë lutjen time
e as nga mirësia e tij nuk hoqi dorë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 66: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr