Romakëve 2
2
Gjykimi i drejtë i Perëndisë
1Ti, o njeri, që gjykon të tjerët, kushdo qofsh, nuk ke asnjë shfajësim. Duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon, bën të njëjtat gjëra. 2Ne e dimë se gjykimi i Perëndisë për ata që bëjnë këto gjëra është sipas së vërtetës. 3A mendon se do t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë, o njeri, që gjykon ata që bëjnë të njëjtat gjëra që i bën edhe ti? 4Apo i përçmon pasuritë e mirësisë, të durimit dhe zemërgjerësisë së Perëndisë pa e ditur se mirësia e tij të çon në pendim?
5Por me ashpërsinë tënde dhe me zemrën e papenduar po i përgatit vetes një zemërim të madh për ditën kur Perëndia do të zbulojë zemërimin dhe gjykimin e tij të drejtë. 6Perëndia do ta shpërblejë çdonjërin sipas veprave të veta. 7Atyre që me durim kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi në vepra të mira, do t'u japë jetën e amshuar, 8ndërsa ata që janë kryeneçë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, i pret zemërimi e tërbimi i Perëndisë. 9Për çdo qenie njerëzore që bën ligësi do të ketë mundim e ankth, së pari për judeun, por edhe për helenin. 10Por për këdo që bën të mirën, do të ketë lavdi, nder e paqe, së pari për judeun, por edhe për helenin. 11Sepse Perëndia nuk është i njëanshëm.
12Të gjithë ata që kanë mëkatuar pa e njohur ligjin, nuk do të ndëshkohen sipas këtij ligji, ndërsa të gjithë ata që kanë mëkatuar duke e njohur ligjin, do të gjykohen sipas tij. 13Të drejtë para Perëndisë nuk janë ata që e dëgjojnë ligjin, por ata që e zbatojnë atë.
14Kur kombet që nuk e kanë ligjin, zbatojnë vetvetiu çfarë thotë ligji, megjithëse nuk e kanë ligjin, ato veprojnë si ta kishin atë brenda vetes së tyre. 15Me këtë ata tregojnë se urdhërimet e ligjit janë të shkruara në zemrat e tyre, gjë për të cilën dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre, edhe mendimet e tyre të brendshme, që herë i akuzojnë për faj e herë i shfajësojnë. 16Kjo do të dalë në dritë ditën kur Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve përmes Krishtit Jezu, siç e pohon ungjilli që predikoj unë.
Judenjtë dhe ligji i Moisiut
17Çfarë të themi për ty që e quan veten jude? Ti mbështetesh te ligji e mburresh me Perëndinë, 18e njeh vullnetin e tij dhe ligji të ka mësuar të dallosh të mirën. 19Ti je i bindur se je udhëheqës i të verbërve e dritë për ata që janë në errësirë, 20edukator i të panxënëve e mësues i të miturve në besim, sepse në ligj ke dijen e plotë dhe gjithë të vërtetën.
21Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson dot veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh? 22Ti që thua se nuk duhet bërë tradhti bashkëshortore, bën tradhti bashkëshortore? Ti që ke neveri idhujt, plaçkit tempuj? 23Ti që mburresh me ligjin, çnderon Perëndinë duke e shkelur këtë ligj? 24Sepse, siç është shkruar: për shkakun tuaj emri i Perëndisë shahet ndër kombe.
25Rrethprerja është e dobishme nëse ti zbaton ligjin, por nëse je shkelës i tij, rrethprerja jote nuk vlen#2.25 ose: bëhet parrethprerje. 26Prandaj, nëse i parrethpreri respekton urdhërimet e ligjit, a nuk do t'ia njohë atij Perëndia parrethprerjen si rrethprerje? 27Ai që është i parrethprerë, por e zbaton ligjin, do të të gjykojë ty, që, megjithëse je i rrethprerë dhe e ke të shkruar ligjin, je shkelës i këtij ligji.
28Sepse jude i vërtetë nuk është ai që duket i tillë së jashtmi dhe rrethprerja nuk është diçka e jashtme apo trupore, 29por jude i vërtetë është ai që është i tillë së brendshmi. Rrethprerja e vërtetë është ajo e zemrës, që bëhet në Shpirt e jo në shkronjë. Lavdia e judeut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia.
Aktualisht i përzgjedhur:
Romakëve 2: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020