Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 7

7
Krahasimi me martesën
1O vëllezër, si njerëz që e njihni mirë ligjin, a nuk e dini se ligji sundon mbi njeriun për sa kohë ai është gjallë? 2Kështu, sipas ligjit gruaja e martuar është e lidhur me burrin për sa kohë ai është gjallë, por nëse burri vdes, ligji i jep asaj lirinë nga burri. 3Por, nëse ajo bëhet gruaja e një burri tjetër kur e ka burrin ende gjallë, ajo do të quhet grua që ka bërë tradhti bashkëshortore. Nëse burri i saj vdes, ajo është e lirë nga ligji dhe po të martohet me një burrë tjetër, ajo nuk bën tradhti bashkëshortore.
4Në të njëjtën mënyrë, o vëllezërit e mi, edhe ju keni vdekur për sa i përket ligjit, meqenëse jeni bashkuar me trupin e Krishtit. Kështu, ju i përkisni një tjetri, atij që është ngjallur prej të vdekurve, me qëllim që të japim fryte për Perëndinë. 5Kur ne jetonim sipas dobësisë njerëzore, dëshirat mëkatare, të nxitura përmes ligjit, vepronin në gjymtyrët tona dhe ne jepnim fryte që të çojnë në vdekje. 6Por tani jemi të lirë për sa i përket ligjit, sepse kemi vdekur ndaj atij që na mbante lidhur. Kështu, i shërbejmë Perëndisë në risinë e Shpirtit dhe jo sipas mënyrës së vjetër të shkronjës.
Mëkati brenda nesh
7Ç'të themi, pra? A është ligji mëkat? Larg qoftë! Mirëpo nëse nuk do të ishte ligji, unë nuk do ta kisha njohur mëkatin. Unë nuk do ta kisha njohur lakminë nëse ligji nuk do të thoshte: mos lakmo! 8Por duke marrë shkas prej urdhërimit, mëkati bëri që të lindin brenda meje gjithfarë lakmish. Pa ligj, mëkati është i vdekur. 9Dikur unë jetoja pa ligjin, por kur u dha urdhërimi i këtij ligji, mëkati mori jetë 10dhe unë vdiqa. Kështu urdhërimi që duhej të më çonte në jetë më çoi drejt vdekjes. 11Sepse mëkati, duke marrë shkas prej urdhërimit, më mashtroi dhe përmes tij më vrau. 12Mirëpo ligji është i shenjtë dhe urdhërimi është i shenjtë, i drejtë e i mirë.
13Mos vallë e mira u bë shkak për vdekjen time? Larg qoftë! Vdekjen ma solli mëkati duke përdorur të mirën. Kështu, mëkati e tregoi qartë natyrën e tij të vërtetë dhe përmes urdhërimit u bë mëkat edhe më i rëndë. 14Ne e dimë se ligji është shpirtëror, ndërsa unë kam dobësinë e trupit dhe jam i shitur si skllav te mëkati. 15Nuk di çfarë bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. 16Nëse bëj atë që nuk dua, pranoj se ligji është i mirë. 17Tani nuk jam më unë që veproj kështu, por mëkati që banon brenda meje.
18Unë e di se e mira nuk banon brenda meje, domethënë në dobësinë time njerëzore. Unë dua të bëj të mirën, por nuk mundem. 19Sepse nuk bëj të mirën që dua, por bëj të keqen që nuk dua. 20Por nëse bëj atë që nuk dua, nuk veproj më unë, por mëkati që banon në mua.
21Kështu kam zbuluar parimin sipas të cilit sa herë që dua të bëj të mirën, brenda meje gjej vetëm aftësinë për të bërë të keqen. 22Në të vërtetë, thellë brenda meje unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë, 23por shoh në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe më bën rob të ligjit të mëkatit, që gjendet në gjymtyrët e mia. 24Sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që po më tërheq drejt vdekjes? 25I qofshim falë Perëndisë përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë.
Kështu pra, me mendje i shërbej ligjit të Perëndisë, por me trup i shërbej ligjit të mëkatit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Romakëve 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr