Siraku 10
10
Qeverisja
1Gjykatësi i urtë e mëson popullin e vet,
sundimi i të mençurit është me vend.
2Si gjykatësi i popullit janë edhe nëpunësit e tij,
si sundimtari i qytetit janë edhe banorët e tij.
3Kur mbreti i paditur e rrënon popullin e vet,
qytetin e drejtojnë me mençuri të fortët.
4Sundimi i dheut është në dorë të Zotit,
ai e çon njeriun e duhur në kohën e duhur.
5Arritjet e njeriut janë në dorë të Zotit,
ai ia jep pushtetin ligjvënësit.
6Mos i mbaj mëri të afërtit për çdo padrejtësi,
mos bëj asgjë kur je i zemëruar.
7Krenarinë e urrejnë Zoti dhe njerëzit,
të dyve u neveritet padrejtësia.
8Sundimi kalon nga një komb te tjetri
për shkak të padrejtësisë, krenarisë e parasë.
9Si krenohet ai që është baltë e hi?
Që në të gjallë i qelben zorrët.
10Sëmundja e gjatë e përqesh mjekun,
ai që sot është mbret, nesër merr fund.
11Kur dikush vdes,
merr trashëgim zvarranikë, egërsira e krimba.
12Largimi nga Zoti është fillimi i krenarisë së njeriut,
zemra e tij largohet nga krijuesi.
13Mëkati është fillimi i krenarisë,
kush kapet pas saj vjell poshtërsi.
Ndaj, Zoti i lëshon lëngata,
e zhbin fare.
14Zoti i rrëzon fronet e sundimtarëve,
ul mbi ta vegjëlinë.
15Zoti i zhbin me rrënjë kombet,
në vend të tyre ngulit të përulurit.
16Vendet e kombeve Zoti i shkatërron,
i rrënon gjer në themel.
17I shpërngul e i shkatërron,
ua fshin kujtimin nga faqja e dheut.
18Krenaria nuk u bë për njeriun,
as zemërimi i dhunshëm për pjellën e gruas.
19Cilës farë i takon nderimi?
Farës njerëzore.
Cilës farë i takon nderimi?
Asaj që druan Zotin.
Cilës farë i takon nderimi?
Farës njerëzore.
Cilës farë nuk i takon nderimi?
Asaj që shkel urdhërimet.
20Prijësi nderohet ndër vëllezër,
kush druan Zotin nderohet para tij.
21[Droja e Zotit është fillimi i miratimit prej tij,
krenaria e vrazhdësia, fillimi i mosmiratimit.]
22I pasuri, i lavdishmi dhe i varfri
krenohen me drojën e Zotit.
23Nuk është e drejtë të përçmosh të varfrin e mençur,
nuk është e hijshme të lëvdosh njeriun mëkatar.
24Fisnikët, gjykatësit e sundimtarët nderohen,
por asnjëri prej tyre s'është më i madh se ai që druan Zotin.
25Skllavit të urtë i shërben edhe i liri,
njeriu i ditur nuk ankohet.
26Mos bëj lojë fjalësh kur bën punën,
mos u krekos kur je në hall.
27Më mirë punëtori që ka gjithçka me begati,
se mburraveci që nuk ka bukë të hajë.
28O bir, nderoje veten me përulësi,
jepi nderin që i takon.
29Kush e shfajëson atë që mëkaton kundër vetes?
Kush e lavdëron atë që çnderon veten?
30I varfri lavdërohet me diturinë e vet,
i pasuri mburret me pasurinë e vet.
31Kush nderohet me varfëri,
edhe më shumë me pasuri.
Kush çnderohet me pasuri,
edhe më shumë me varfëri.
Aktualisht i përzgjedhur:
Siraku 10: AL1
Thekso
Kopjo
Krahaso
Ndaje
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020