Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Siraku 43

43
Mrekullia e krijimit
1Kupa qiellore krenohet me kthjelltësinë,
pamja qiellore, kundrim lavdie.
2Dielli që lind del e shpall
sa e mrekullueshme është vepra e të Tejlartit.
3Në mesditë e zhurit tokën,
kush i bën ballë nxehtësisë së tij?
4Kush i fryn furrës, punon në vapë,
por dielli i djeg malet trefish,
shfryn avull përvëlues
dhe rrezet e përflakta verbojnë sytë.
5I madh është Zoti që e krijoi,
me fjalën e vet ia shpejton rendjen.
6Edhe hëna ka kohën e vet për gjithçka,
është tregues i kohës e shenjë e përhershme.
7Nga hëna vjen shenja e festave,
dritë që mpaket në të sosur.
8Muaji prej saj e merr emrin,
rritet mrekullueshëm teksa ndryshon,
shenjë për aradhet në lartësi,
flakëruese në kupën qiellore.
9Yjet e lavdishme janë bukuria e qiellit,
stoli dritëplotë në lartësitë e Zotit.
10Rrinë në vend sipas fjalës së të Shenjtit
e nuk e braktisin vendrojën.
11Shiko ylberin e lëvdoja krijuesin,
është tejet i pashëm në shkëlqimin e vet.
12Ngjesh qiellin me rreth lavdie,
duart e të Tejlartit e kanë ndehur.
13Me urdhrin e tij bie bora,
me gjykimin e vet përshpejton vetëtimat.
14Kështu hapen thesaret
e retë fluturojnë si zogj.
15Në madhështinë e tij i dendëson retë
e shkërmoqen kokrrizat e breshrit.
16Kur shfaqet ai, dridhen malet,
juga fryn sipas dëshirës së tij.
17Zëri i tij buçitës trand tokën,
stuhinë e murrlanit e shtjellën e erës.
18Si zogj flatrues e shpërndan borën,
si zbritje akrepash është rënia e saj.
Bukuria e bardhësisë së saj habit syrin,
kur bie ajo, të rrëmbehet zemra.
19E zbraz brymën mbi tokë si kripë,
hejet bëhen si gjemba.
20Era e ftohtë e veriut fryn
e akulli ngrin sipër ujit,
zë vend mbi çdo pellg uji
e uji vishet si me parzmore.
21Përpin malet e shkrumbon shkretëtirën,
barin e përcëllon si zjarr.
22Reja e beftë shëron gjithçka,
vesa pas vapës sjell hare.
23Me një mendim e qetëson humnerën
e mbjell ishuj në të.
24Lundruesit e detit rrëfejnë rreziqet e tij,
veshët tanë dëgjojnë e habiten.
25Atje ka vepra të çuditshme e mrekulluese,
larmi gjallesash e krijesa vigane.
26Falë tij bën udhë të mbarë lajmëtari,
me fjalën e tij lidhet gjithçka.
27Mund të flisnim shumë, pa ia nxjerrë fundin,
në fund të fundit: ai është gjithçka.
28Ku ta gjejmë fuqinë për t'i dhënë lavdi?
Ai është më i madh se të gjitha veprat e veta.
29I tmerrshëm është Zoti e shumë i madh,
e mrekullueshme fuqia e tij.
30Kur t'i jepni lavdi, lartojeni Zotin sa të mundni,
por ai është edhe më lart.
Kur ta lartoni, mblidhni fuqitë
e mos u lodhni, se nuk ju mjafton.
31Kush e pa, a mund të përshkruajë?
Kush mund ta madhërojë aq sa ai është?
32Të fshehtat janë të shumta, më të mëdha se këto,
se ne shohim pak prej veprave të tij.
33Gjithçka e ka bërë Zoti
e besimtarëve u ka dhënë urtinë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Siraku 43: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr