Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Siraku 44

44
Lavdia e etërve
1Le t'u këndojmë burrave të lavdishëm,
paraardhësve tanë ndër shekuj.
2Lavdi të madhe u dha Zoti,
madhështinë e vet që prej amshimi.
3Mbretëruan në mbretëritë e veta,
bënë bujë me fuqinë e tyre,
dhanë këshilla me mençuri,
kumtuan me profeci.
4Udhëheqës të popullit me këshilla,
kuptonin doket e popullit,
të zotët e fjalës në mësimet e tyre.
5Shkruan pjesë muzikore,
lanë me shkrim vargje.
6Burra të pasur të pajisur me fuqi,
paqësorë në shtëpitë e tyre.
7Të gjithë ishin të lavdishëm ndër brezni,
krenaria e kohës së vet.
8Disa kanë lënë emër,
që t'u thureshin lavde.
9Disa nuk kujtohen,
janë zhdukur si të mos kishin qenë.
U bënë si të mos kishin lindur,
ata e fëmijët pas tyre.
10Por ata paskan qenë burra të mëshirshëm,
drejtësia e tyre nuk harrohet.
11Ata mbeten te fara e tyre,
trashëgimi e mirë pasardhësit e tyre.
12Pasardhësit e tyre i qëndrojnë besëlidhjes,
falë tyre, edhe të bijtë.
13Fara e tyre mbetet në amshim,
kurrë nuk shuhet lavdia e tyre.
14Trupat e tyre janë varrosur në paqe,
emri i tyre jeton ndër brezni.
15Edhe popujt do ta tregojnë urtinë e tyre,
bashkësia do t'u shpallë lavdinë.
16Enoku i pëlqeu Zotit e u mor,
shembull pendimi për breznitë.
17Noeu u gjet i përsosur e i drejtë,
në kohën e zemërimit u bë përtëritje,
prandaj u la një tepricë në tokë,
kur erdhi përmbytja.
18Besëlidhje të amshuara u bënë me të,
që përmbytja të mos zhbinte asnjë gjallesë.
19Abrahami qe ati i madh i shumë kombeve,
nuk i është gjetur një i ngjashën në lavdi.
20Ai e ruajti ligjin e të Tejlartit,
bëri besëlidhje me të,
E vuri besëlidhjen në mish,
u sprovua e u gjet besnik.
21Prandaj Zoti i bëri betim të sigurt,
se, përmes farës së tij, kombet do të bekoheshin,
se do ta shumonte si pluhurin e dheut,
e farën do t'ia ngrinte në qiell,
se do t'ia jepte trashëgiminë nga deti në det,
nga lumi në skajet e dheut.
22Njësoj bëri edhe me Isakun,
për hir të atit të tij, Abrahamit.
23Bekimin e të gjithë njerëzve dhe besëlidhjen
e zbriti mbi kryet e Jakobit,
ia njohu bekimet
e i dha trashëgiminë,
ia ndau hiset
për t'ua shpërndarë dymbëdhjetë fiseve.

Aktualisht i përzgjedhur:

Siraku 44: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr