Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Siraku 46

46
1Jozuehu i Nunit, i fuqishëm në betejë,
qe pasardhës i Moisiut si profet.
Ai u bë, siç ia thonë emrin,
i madh për shpëtimin e të zgjedhurve të tij,
për t'u hakmarrë me armiqtë kryengritës,
për t'i dhënë trashëgiminë Izraelit.
2Sa i lavdishëm ishte kur ngrinte duart
e kur zhvishte shpatën kundër qyteteve!
3Kush ishte më i vendosur se ai?
Ai luftoi luftrat e Zotit.
4A nuk u ndal dielli prej dorës së tij
e një ditë u bë sa dy?
5Thirri të Tejlartin fuqiplotë
kur armiqtë e rrethonin nga çdo anë
e Zoti i madh iu përgjigj
me breshër fort të fuqishëm.
6I mposhti kombet në betejë,
i shpartalloi kundërshtarët në rrëpirë,
që kombet t'ia njihnin armët,
se kishin dalë në betejë kundër Zotit.
7Ndoqi edhe sundimtarin,
zbatoi mëshirën në kohën e Moisiut
ai dhe Kalebi, biri i Jefonisë,
duke i bërë ballë bashkësisë,
duke e ndalur popullin nga mëkati,
duke ia ndaluar fjalët e liga.
8Këta të dy u shpëtuan
mes gjashtëqindmijë këmbësorëve,
për t'u prirë drejt trashëgimisë,
drejt tokës ku rrjedh qumësht e mjaltë.
9Zoti i dha fuqi Kalebit,
ndenji me të gjer në pleqëri,
e vendosi mbi një vend të lartë
që pasardhësit e tij e trashëguan.
10Të gjithë bijtë e Izraelit e panë
sa mirë është të ndjekësh Zotin.
11Edhe gjykatësit, secili sipas emrit të vet,
zemrat e të cilëve nuk u bënë idhujtare
e nuk ia kthyen shpinën Zotit
paçin kujtim të bekuar!
12Iu përtëritshin eshtrat atje ku u prehen,
emrat e tyre u nderofshin,
në bijtë e tyre u lavdërofshin.
13Samueli ishte i dashur prej Zotit,
si profet i Zotit e nguli mbretërinë,
vajosi princa për popullin e vet.
14E gjykoi bashkësinë me ligjin e Zotit
e Zoti u kujdes për Jakobin.
15Me besnikërinë e tij dha provë se ishte profet
e prej fjalëve të tij u njoh si vegimtar.
16I thirri Zotit sundimtar,
kur armiqtë e rrethuan nga çdo anë
e i kushtoi qengjin qumështor.
17Atëherë Zoti gjëmoi nga qielli
e zëri iu dëgjua mes zhurmës së madhe.
18Prijësit e tirasve i zhbiu
me tërë princat e filistinëve.
19Para kohës së gjumit të amshuar,
dëshmoi para Zotit e të vajosurit të tij:
«Nuk i kam marrë pronë askujt,
as një palë sandale».
Asnjeri s'mund ta padisë.
20Edhe pasi ra në gjumë profetizoi,
i zbuloi mbretit si do të merrte fund,
e ngriti zërin nga dheu,
për të profetizuar,
për të fshirë paudhësitë e popullit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Siraku 46: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr