Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Urtia 11

11
Uji i Nilit dhe i shkëmbit
1U dha mbarësi punëve të tyre
me anë të një profeti të shenjtë.
2Kaluan përmes shkretëtirës së pabanuar,
në vende të pashkelura ngritën tendat.
3U bënë ballë kundërshtarëve,
u mbrojtën nga armiqtë.
4Patën etje e të thirrën ty,
nga shkëmbi i thepisur morën ujë,
e shuan etjen nga guri i ashpër.
5Çka ishte ndëshkim për armiqtë e tyre,
u bënte dobi në kohë shtrëngese.
6Në vend të burimit të lumit të përjetshëm,
trazuar e ndotur me gjak,
7derdhur si shpagim për vrasjen e foshnjave,
u dhe papritur ujë të begatë.
8Tregove, me anë të etjes,
si i ndëshkove armiqtë.
9Kur u vunë në provë,
qortuar me mëshirë,
mësuan si i gjykon të pafetë,
ndëshkuar me zemërim.
10Këta i sprovove si atë, që të zënë mend,
ata i hetove si mbret që gjykon me ashpërsi.
11Afër a larg, njësoj vuajtën,
12mundim i dyfishtë i gjeti,
kujtonin të shkuarën dhe ofshanin.
13Kur morën vesh se prej dënimeve të tyre
të tjerët patën dobi,
e ndienë Zotin.
14Me atë që braktisën dhe përqeshën qëmoti,
kur panë si shkoi fundi, u mahnitën,
sesi të drejtët nuk u etën.
15Për mendimet e çmendura të padrejtësisë së tyre,
se u mashtruan e adhuruan
zvarranikët pa mend e bishat pa vlerë,
u dhe si dënim kafshë të pamend me shumicë,
16që të mësonin se njeriu ndëshkohet me çka mëkaton.
17Dora jote e plotfuqishme,
që botën ndërtoi nga lënda e patrajtë,
u dërgoi pa ngurrim
arinj të shumtë e luanë të egërsuar,
18bisha të egra të sapokrijuara, të panjohura më parë,
që nxirrnin flakë nga zgafellat e hundës,
hungërinin duke nxjerrë tym,
e lëshonin nga sytë shkëndija të frikshme.
19Jo vetëm i gjymtonin e i zhbinin,
por edhe pamja e tyre u fuste tmerrin.
20Edhe pa këto, rrëzoheshin me një frymë,
ndëshkuar me drejtësi,
shpërndaheshin nga fryma e fuqisë sate.
Por për gjithçka ti caktove
masë, sasi e peshë.
21Fuqia jote e madhe është gjithmonë e pranishme,
kush e kundërshton pushtetin e krahut tënd?
22E gjithë bota përpara teje është si peshorja që luhatet,
si pikëza e vesës së mëngjesit që zbret përmbi dhe.
23Të gjithë i mëshiron, se ke fuqi të bësh gjithçka,
mëkatet e atyre që pendohen nuk i përfill.
24Ke dashuri për të gjitha qeniet
e nuk të neveritet asgjë nga ato që ke bërë.
Diçka që do ta urreje nuk do ta krijoje.
25Si do të mbetej ndonjë gjë pa vullnetin tënd,
si do të thirrej në jetë pa u kujdesur ti?
26Ti kujdesesh për gjithçka, se të tuat janë,
o zotërues njeridashës.

Aktualisht i përzgjedhur:

Urtia 11: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr