Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Urtia 7

7
Thelbi i urtisë
1Edhe unë jam i vdekshëm, si të gjithë njerëzit mbi dhe,
pasardhës i të parëkrijuarit.
Në barkun e nënës m'u skalit mishi,
2pas dhjetë muajsh u mpiksa në gjak,
u zura nga fara e burrit bashkuar me epshin e gjumit.
3Kur u linda, thitha ajrin që thithin të gjithë,
dhe rashë mbi tokën ku të gjithë vuajnë njësoj,
e si për të gjithë, e qara qe zëri im i parë.
4Në shpërgënj më vunë
e u rrita me përkujdesje.
5Asnjë mbret s'e pati ndryshe fillimin e jetës,
6një është për të gjithë hyrja në jetë
po ashtu edhe dalja.
7Prandaj u luta e m'u dha urti,
thirra dhe erdhi mbi mua fryma e urtisë.
8Zgjodha urtinë, jo skeptrin e fronin,
as pasurinë s'e desha, kur e krahasova me të.
9Nuk e përngjasova me asnjë gur të çmuar,
i gjithë ari është një grusht rëre para saj,
argjendi ngjan si baltë krahasuar me të.
10Më shumë se shëndetin dhe bukurinë e dashurova,
e zgjodha para dritës,
sepse shkëlqimi i saj është i pashuar.
11Bashkë me urtinë më erdhën gjithë të mirat,
pasuri e panumërt qëndron në duart e saj.
12Gjithë këto të mira i shijova, se urtia u printe,
por nuk e dija se ajo është mëma e tyre.
13Pa dredhi mësova ta shpërndaj pa kursim,
pasurinë e saj nuk kam për ta fshehur.
14Thesar i pashtershëm është për njerëzit,
ata që e zotëruan zunë miqësi me Perëndinë
u lidhën me të përmes dhuratës së mësimit.
Perëndia burim i urtisë
15Bëftë Perëndia të flas me gjykim të drejtë,
të mendoj sipas dhuratave që m'u dhanë,
se ai është udhërrëfyes për tek urtia
dhe ndreqësi i të urtëve.
16Në duart e tij jemi ne dhe fjalët tona,
e gjithë mençuria dhe dijet tona për mjeshtëritë.
17Se ai më dha njohuri të pagabuara për qeniet,
njohuritë për përbërjen e botës dhe veprimet e grimave,
18për fillimin, fundin e mesin e kohërave,
për lëvizjet e diellit dhe ndërrimin e stinëve,
19për shtjellën e vitit dhe vendin e yjeve,
20për natyrën e kafshëve dhe sjelljen e egërsirave,
për furinë e erërave dhe mendimet e njerëzve,
për larushinë e bimëve dhe fuqinë e rrënjëve.
Lavdërim për urtinë
21Gjithçka të fshehtë e të dukshme mësova.
Ajo që krijoi gjithçka, urtia, m'i mësoi.
22Urtia ka frymë që kupton, frymë të shenjtë,
të pashoqe, të shumanshme, të hollë,
të zhdërvjellët, përshkuese, të panjollë,
të qartë, pa cen, plot mirësi, të mprehtë,
23të papenguar, mirëbërëse, njeridashëse,
të qëndrueshme, të sigurt, pa shqetësime,
të plotfuqishme, që këqyr gjithçka
e përshkon të gjithë shpirtrat e mençur,
të pastër e të hollë.
24Më e shpejtë se çdo lëvizje është urtia,
me pastërtinë e saj sundon dhe përshkon gjithçka.
25Urtia është fryma e fuqisë së Perëndisë,
rrjedhojë e pastër e lavdisë së të gjithëpushtetshmit,
prandaj asgjë e ndotur nuk hyn dot në të.
26Është përthyerje e dritës së përjetshme,
pasqyrë e panjollë e veprës së Perëndisë,
përngjasim i mirësisë së tij.
27E vetme është, por të gjitha arrin t'i bëjë,
mbetet e pandryshueshme e të gjitha i përtërin.
Brez pas brezi hyn në shpirtra të përkushtuar,
i bën miq të Perëndisë dhe profetë.
28Askënd nuk dashuron Perëndia,
veç atij që jeton me urtinë.
29Ajo është më e pashme se dielli,
qëndron më lart se yjet.
Krahasuar me dritën e ditës,
është më e ndritur se ajo.
30Se ditën e pason nata,
por e keqja nuk e mund urtinë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Urtia 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr