Gjoni 1
1
Mishërimi i Fjalës
1Në fillim ishte Fjala.
Fjala ishte me Perëndinë.
Fjala ishte Perëndi.
2Fjala ishte që në fillim
me Perëndinë.
3Gjithçka u bë nëpërmjet tij
dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të.
4Në të gjendej jeta
dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5Drita ndriçon në errësirë
dhe errësira nuk e mundi dot#1.5 ose: nuk e kuptoi.
6Perëndia dërgoi një njeri
që quhej Gjon.
7Ai erdhi të jepte dëshmi
për dritën,
që të gjithë të besojnë
nëpërmjet tij.
8Ai nuk ishte drita,
por dëshmitar i dritës.
9Fjala ishte drita e vërtetë,
e cila vjen në botë
dhe ndriçon çdo njeri.
10Ai ishte në botë
dhe bota u bë
nëpërmjet tij,
por bota nuk e njohu.
11Ai erdhi te të vetët,
por të vetët nuk e pranuan.
12Atyre që e pranuan
dhe besuan në emrin e tij,
u dha të drejtën
të bëhen bij të Perëndisë.
13Ata nuk lindën prej gjakut,
as prej vullnetit njerëzor
a prej dëshirës së burrit,
por prej Perëndisë.
14Dhe Fjala u mishërua
e banoi mes nesh.
Ne e pamë lavdinë e tij,
lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit,
plot hir e të vërtetë.
15Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje».
16Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij. 17Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit. 18Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur.
Dëshmia e Gjon Pagëzorit
(Mt 3.1-12; Mk 1.2-8; Lk 3.15-17)
19Kjo është dëshmia e Gjonit kur të parët e judenjve nga Jerusalemi i dërguan priftërinj e levitë që ta pyesnin: «Kush je ti?». 20Ai nuk ngurroi të përgjigjej, por rrëfeu: «Unë nuk jam Krishti». 21Ata e pyetën: «Atëherë, kush je ti? A mos je Elia?». Gjoni tha: «Jo, nuk jam». «A mos je profeti?». Ai u përgjigj: «Jo». 22Atëherë i thanë: «Kush je ti? Se duhet t'u japim një përgjigje atyre që na dërguan. Ç'thua për veten tënde?». 23Gjoni tha: «Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin!». Kështu kishte thënë edhe profeti Isai.
24Të dërguarit ishin nga farisenjtë. 25Ata e pyetën: «Nëse ti nuk je Krishti, as Elia e as profeti, atëherë, përse pagëzon?». 26Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë, por mes jush qëndron ai që ju nuk e njihni. 27Ai vjen pas meje, por unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh lidhëset e sandaleve». 28Të gjitha këto ndodhën në Betani, në anën tjetër të lumit Jordan, ku Gjoni po pagëzonte.
Qengji i Perëndisë
29Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij e tha: «Ja Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës! 30Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”. 31Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t'ia zbuloj Izraelit».
32Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin tek zbriste prej qiellit si pëllumb e që qëndroi mbi të. 33Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e shenjtë”. 34Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë».
Dishepujt e parë
35Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij 36dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!». 37Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit. 38Jezui u kthye e kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi, “që do të thotë mësues”, ku banon?». 39Jezui u tha: «Ejani e shihni!». Ata shkuan, panë ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites.
40Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni. 41Ai takoi të parin vëllanë e vet, Simonin, e i tha: «Gjetëm Mesinë!», domethënë Krishtin. 42Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb.
Thirrja e Filipit dhe Natanaelit
43Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin e i tha: «Më ndiq!». 44Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas e i Pjetrit. 45Filipi gjeti Natanaelin e i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, birin e Jozefit». 46Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?». «Eja e shih!», iu përgjigj Filipi. 47Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij e tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!». 48Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?». Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi». 49Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!». 50Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!». 51Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut».
Aktualisht i përzgjedhur:
Gjoni 1: AL
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020