Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 12

12
Lyerja me mirrë
(Mt 26.6-13; Mk 14.3-9)
1Gjashtë ditë përpara Pashkës, Jezui shkoi në Betani, ku jetonte Lazari, të cilin e kishte ngjallur prej të vdekurve. 2Atje i shtruan darkën. Marta u shërbente, ndërsa Lazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me Jezuin. 3Atëherë Maria mori rreth gjysmë litri mirrë prej nardi të kulluar, shumë të shtrenjtë, e ia leu me të këmbët Jezuit. Pastaj ia fshiu ato me flokët e saj. Shtëpia u mbush me aromën e mirrës. 4Judë Iskarioti, njëri prej dishepujve, ai që do ta tradhtonte, tha: 5«Përse të mos shitej kjo mirrë për treqind denarë e t'u jepeshin të varfërve?». 6Këtë e tha, jo se shqetësohej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës. Ai mbante qesen e parave e merrte prej saj çfarë hidhej në të. 7Por Jezui tha: «Lëre të qetë! Ajo e bëri këtë për ditën e varrimit tim! 8Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë».
Kërkojnë të vrasin Lazarin
9Një turmë e madhe judenjsh morën vesh se Jezui ndodhej atje e shkuan jo vetëm për të, por edhe të shikonin Lazarin që Jezui e kishte ngjallur prej të vdekurve. 10Kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazarin, 11sepse shumë nga judenjtë largoheshin prej tyre për shkakun e tij e besonin në Jezuin.
Hyrja në Jerusalem
(Mt 21.1-11; Mk 11.1-11; Lk 19.28-40)
12Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem, 13mori degë palmash e i doli para duke thirrur:
«Hosana!
Bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit,
mbreti i Izraelit!».
14Jezui gjeti një kërriç e hipi në të, siç është shkruar:
15 Mos ki frikë,
o bijë e Sionit!
Ja, mbreti yt po vjen
hipur mbi një kërriç!
16Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, por kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, siç ishin shkruar.
17Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të. 18Prandaj turma i kishte dalë para, sepse kishin dëgjuar për këtë shenjë që kishte bërë. 19Atëherë farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «A e shihni se nuk keni ç'bëni? Ja, gjithë bota po shkon pas tij!».
Disa helenë kërkojnë Jezuin
20Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa helenë. 21Ata shkuan te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë, e iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». 22Filipi shkoi e i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezuit. 23Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! 24Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. 25Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. 26Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë».
Për kryqëzimin
27«Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë.
28O Atë, përlëvdoje emrin tënd!». Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar e përsëri do ta përlëvdoj». 29Turma që rrinte e dëgjonte, tha: «Ishte një bubullimë». Të tjerë thanë: «I foli një engjëll». 30Jezui u përgjigj: «Ky zë nuk erdhi për mua, por për ju. 31Tani bëhet gjykimi i kësaj bote! Tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote! 32Kur unë të lartësohem nga toka, do t'i tërheq të gjithë pranë vetes». 33Këtë e tha për të treguar me ç'vdekje do të vdiste.
34Turma iu përgjigj: «Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë. Si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të lartësohet? Kush është ky Biri i njeriut?». 35Jezui u tha: «Edhe për pak kohë drita është me ju. Ecni sa keni dritë, që të mos ju zërë errësira. Kush ecën në errësirë nuk e di ku shkon. 36Për sa kohë keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës».
Mosbesimi i judenjve
Pasi tha këto, Jezui iku e u fsheh prej tyre. 37Megjithëse kishte bërë kaq shenja para syve të tyre, ata nuk besonin në të, 38që të përmbushej fjala e profetit Isai që ka thënë:
Zot, kush i besoi lajmit tonë?
Kujt iu zbulua fuqia e Zotit?
39Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia ka thënë edhe:
40 i verboi sytë e tyre
dhe i ngurtësoi zemrat e tyre,
që të mos shohin me sy,
apo të kuptojnë me zemër
që të mos kthehen tek unë
për t'i shëruar.
41Këto tha Isaia, sepse e pa lavdinë e Jezuit dhe foli për të. 42Megjithatë shumë nga krerët e judenjve besuan në Jezuin, por nuk e rrëfenin haptas, nga frika e farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagogat. 43Ata donin më shumë lavdinë e njerëzve se lavdinë e Perëndisë.
Kush na gjykon?
44Jezui tha me zë të lartë: «Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi. 45Kush më sheh mua, sheh atë që më dërgoi. 46Unë, drita, erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë. 47Nëse dikush dëgjon fjalët e mia, por nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj, sepse nuk kam ardhur për ta gjykuar botën, por për ta shpëtuar atë. 48Atë që më hedh poshtë mua e nuk pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit. 49Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më urdhëroi ç'të them e ç'të flas. 50Unë e di se urdhërimi i tij është jetë e amshuar. Ato që them, unë i them siç m'i tha Ati».

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjoni 12: AL

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr