Luka 17
17
Shkaktar për mëkat
(Mt 18.6-7, 21-22; Mk 9.42)
1Jezui u tha dishepujve të vet: «Është e pamundur të mos vijnë pengesat, por mjerë kush i shkakton! 2Për të do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det, sesa t'u bëhej pengesë këtyre të vegjëlve. 3Kini kujdes!
Nëse vëllai yt mëkaton, qortoje. Nëse pendohet, fale. 4Nëse mëkaton kundër teje shtatë herë në ditë e shtatë herë kthehet e të thotë “pendohem”, fale».
5Atëherë apostujt i thanë Zotit: «Na e shto besimin!». 6Dhe Zoti u tha: «Po të kishit besim sa fara e sinapit, do t'i thoshit këtij mani “shkulu që këtu e mbillu në det” dhe ai do t'ju bindej.
7Cili nga ju po të kishte një shërbëtor që plugon ose ruan dhentë, do t'i thoshte atij kur të kthehej nga ara: “Eja menjëherë e ulu në tryezë”? 8A nuk do t'i thoshte: “Ma bëj gati darkën, përvish mëngët e më shërbe që të ha e të pi unë e pastaj mund të hash e të pish edhe ti”? 9Mos vallë e falënderon shërbëtorin, sepse bëri detyrën?#17.9 dorëshk. të tjera edhe: Mendoj se jo 10Kështu edhe ju, kur të bëni çfarë keni për detyrë, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Kemi bërë detyrën”».
Pastrimi i dhjetë të lebrosurve
11Kur po shkonte drejt Jerusalemit, Jezui kaloi përmes Samarisë e Galilesë. 12Si hyri në një fshat, iu afruan dhjetë të lebrosur. Ata rrinin larg 13e thërrisnin: «Jezu, mësues, ki mëshirë për ne!». 14Jezui i pa e u tha: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë». Dhe ndërsa po shkonin, u pastruan. 15Pastaj njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. 16Ai ra përmbys para këmbëve të Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan. 17Atëherë Jezui pyeti: «A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë? 18Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t'i jepte lavdi Perëndisë përveç këtij të huaji?». 19Pastaj i tha atij: «Ngrihu e shko. Besimi yt të shpëtoi».
Ardhja e mbretërisë
(Mt 24.23-28, 37-41)
20Një herë, kur farisenjtë e pyetën Jezuin se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Jezui u përgjigj: «Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me bujë. 21Nuk do të thonë: “Ja ku është këtu!” apo: “Ja atje!”. Sepse Mbretëria e Perëndisë është brenda jush».
22Jezui u tha dishepujve: «Po vijnë ditë në të cilat do të dëshironi të shihni njërën nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23Atëherë do t'ju thonë: “Ja ku është atje!” apo: “Ja këtu!”. Mos shkoni atje e mos i ndiqni! 24Sikurse vetëtima shkëlqen nga qielli dhe e ndriçon atë nga njëri skaj në tjetrin, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij. 25Por më parë ai duhet të vuajë shumë dhe nuk do të pranohet nga kjo brezni.
26Dhe sikurse ndodhi në ditët e Noeut, kështu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut. 27Në atë kohë njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin deri ditën kur Noeu hyri në arkë e pastaj erdhi përmbytja e përmbyti gjithçka.
28Sikurse ndodhi edhe në ditët e Lotit, njerëzit hanin e pinin, blinin e shisnin, mbillnin e ndërtonin, 29por ditën kur Loti u largua nga Sodoma, ra zjarr e squfur nga qielli e i vrau të gjithë, 30kështu do të ndodhë atë ditë kur do të shfaqet Biri i njeriut. 31Nëse atë ditë dikush do të ndodhet mbi çati, por do t'i ketë gjërat e veta në shtëpi, të mos zbresë për t'i marrë. Dhe nëse dikush do të ndodhet në arë, as ai të mos kthehet. 32Kujtoni gruan e Lotit!
33Kush mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që do ta humbasë jetën e vet, do ta shpëtojë atë. 34Unë po ju them: atë natë, prej dy vetave që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35-36Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet#17.35 dorëshk. të tjera edhe: 36 Ndër dy veta që do të gjenden në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet».
37Pastaj e pyetën: «Po ku, o Zot?». Ai u tha: «Ku është kufoma, mblidhen edhe skifterët».
Aktualisht i përzgjedhur:
Luka 17: AL
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020