1 i Mbretërve 5
5
1Kur Hirami, mbret i Tiros, mësoi që Salomoni ishte vajosur mbret në vend të atit të tij, dërgoi shërbëtorët e tij, sepse Hirami kishte qenë gjithnjë mik i Davidit.
2Atëherë Salomoni dërgoi t'i thotë Hiramit:
3"Ti e di që ati im David nuk ka mundur të ndërtojë një tempull në emër të Zotit, Perëndisë së tij, për shkak të luftërave të ndërmarra nga çdo anë kundër tij, derisa Zoti i vuri armiqtë e tij nën shputën e këmbëve të tij.
4Por tani Zoti, Perëndia im, më ka dhënë paqe rreth e qark; dhe nuk kam më kundërshtarë, as ndonjë fatkeqësi.
5Prandaj tani kam ndërmend të ndërtoj një tempull në emër të Zotit, Perëndisë tim, sipas premtimit që i bëri Zoti atit tim David, kur i tha: "Yt bir, që unë do të vendos mbi fronin tënd, ka për të qenë ai që do të ndërtojë një tempull në emrin tim".
6Jep urdhër, pra, që të priten për mua cedrat e Libanit. Shërbëtorët e mi do të punojnë me shërbëtorët e tu, dhe si pagë unë do t'u jap shërbëtorëve të tu tërë ato që do të më kërkosh ti. Ti e di mirë që ndër ne nuk ka njeri që di t'i presë drurët si ata të Sidonit".
7Kur Hirami i dëgjoi fjalët e Salomonit, u gëzua së tepërmi dhe tha: "Qoftë i bekuar sot Zoti, që i ka dhënë Davidit një bir të urtë për të mbretëruar mbi këtë popull të madh".
8Pastaj Hirami dërgoi t'i thotë Salomonit: "E shqyrtova me kujdes mesazhin që më çove. Unë do të bëj të gjitha ato që dëshiron ti lidhur me lëndën e cedrit dhe të qiparisit.
9Shërbëtorët e mi do t'i sjellin nga Libani deri në det dhe do t'i transportojnë që andej me trap deri në vendin që ti do të më tregosh; pastaj do t'i shkarkojnë atje dhe ti do t'i çosh tutje. Si shpërblim, ti do të plotësosh dëshirën time, duke furnizuar me ushqime shtëpinë time".
10Kështu Hirami e furnizoi Salomonin me tërë lëndën e cedrit dhe të qiparisit që ai kishte nevojë.
11Salomoni nga ana e tij e furnizoi Hiramin me njëzet mijë kore gruri për të mbajtur shtëpinë e tij dhe njëzet kore vaj të pastër ulliri; Salomoni i jepte Hiramit çdo vit tërë këto gjëra.
12Zoti i dha dituri Salomonit, ashtu siç ia kishte premtuar; kështu mbretëroi paqja midis Hiramit dhe Salomonit, dhe të dy bënë aleancë.
13Mbreti Salomon rekrutoi njerëz për punë të detyruar në tërë Izraelin, dhe ata që u caktuan për punë të detyruar ishin tridhjetë mijë njerëz.
14I dërgonte me turne në Liban nga dhjetë mijë në muaj; kalonin një muaj në Liban dhe dy muaj në shtëpitë e tyre; Adonirami ishte drejtuesi i punimeve të detyruara.
15Salomoni kishte gjithashtu shtatëdhjetë mijë njerëz që transportonin ngarkesa dhe tetëdhjetë mijë gurgdhendës në male,
16pa llogaritur tremijë e treqind përgjegjës të caktuar nga Salomoni për veprimtaritë e ndryshme dhe për të mbikëqyrur personat e caktuar në punimet.
17Mbreti urdhëroi të nxirreshin gurë të mëdhenj, gurë me vlerë dhe gurë katërkëndësh për të bërë themelet e tempullit.
18Kështu punëtorët e Salomonit dhe punëtorët e Hiramit dhe giblenjtë nxorën gurët, dhe përgatitën lëndën e drurit dhe gurët për ndërtimin e tempullit.
Aktualisht i përzgjedhur:
1 i Mbretërve 5: ALBB
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr