Jozueu 11
11
1Kur Jabini, mbret i Hatsorit, i mësoi këto ngjarje, u dërgoi lajmëtarë Johabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit dhe atij të Akshafit,
2mbretërve që ndodheshin në veri të zonës malore, në Arabah, në jug të Kinerethit, në ultësirën dhe mbi lartësitë e Dorit, në perëndim,
3kanaanenjve që ishin në lindje dhe në perëndim, amorenjve, hitenjve, perezenjve dhe jebusenjve në krahinën malore, hivenjve në këmbët e malit Hermon në vendin e Mitspahut.
4Kështu ata dolën, ata vetë me tërë ushtritë e tyre, një turmë shumë e madhe si rëra që është mbi bregun e detit dhe me kuaj e qerre në një numër shumë të madh.
5Kështu tërë këta mbretër u bashkuan dhe erdhën në afërsitë e ujërave të Meromit për të ngritur një kamp të përbashkët dhe për të luftuar kundër Izraelit.
6Por Zoti i tha Jozueut: "Mos u tremb nga ata, sepse nesër në këtë orë ke për t'i parë të gjithë të vrarë para Izraelit. Do të presësh leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe do të djegësh qerret e tyre".
7Jozueu, pra, dhe gjithë luftëtarët bashkë me të, marshuan papritmas kundër tyre afër ujërave të Meromit dhe i sulmuan;
8dhe Zoti i dha në duart e izraelitëve, të cilët i mundën dhe i ndoqën deri në Sidonin e madh, deri në ujërat e Misrefothit dhe në luginën e Mitspahut, në drejtim të lindjes; i mundën deri në atë pikë sa nuk lanë të gjallë asnjë prej tyre.
9Jozueu i trajtoi si i kishte thënë Zoti preu leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe ua dogji qerret.
10Në po atë periudhë Jozueu u kthye dhe pushtoi Hatsorin, vrau mbretin e tij me shpatë, sepse në të kaluarën Hatsori kishte qenë kryeqyteti i tërë këtyre mbretërive.
11Vrau me shpatë tërë njerëzit që gjendeshin aty, duke vendosur shfarosjen e tyre; pastaj i vuri flakën Hatsorit.
12Kështu Jozueu pushtoi tërë qytetet e këtyre mbretërive, zuri mbretërit e tyre dhe i vrau me shpatë, duke vendosur shfarosjen e tyre, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit.
13Por Izraeli nuk u vuri flakën asnjërit prej qyteteve që ngriheshin në kodrinat, me përjashtim të Hatsorit, i vetmi qytet që Jozueu dogji.
14Bijtë e Izraelit morën për vete tërë plaçkën e këtyre qyteteve dhe bagëtinë, por vranë tërë njerëzit dhe nuk lanë shpirt të gjallë.
15Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, shërbëtorin e tij, kështu Moisiu urdhëroi Jozueun, dhe ky nuk la pas dore asgjë nga tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.
16Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë atë vend, krahinën malore, tërë Negevin, tërë vendin e Goshenit, ultësirën, Arabahun, krahinën malore të Izraelit dhe ultësirat e tij,
17nga mali Holak, që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baal-Gad në luginën e Libanit në këmbët e malit Hermon; zuri tërë mbretërit e tyre, i goditi dhe i vrau.
18Jozueu luftoi gjatë kundër të gjithë këtyre mbretërve.
19Nuk pati qytet që të bënte paqe me bijtë e Izraelit, me përjashtim të hivenjve që banonin në Gabaon; i pushtuan të gjitha me luftë.
20Në fakt ishte Zoti vetë që fortësonte zemrën e tyre që të bënin luftë kundër Izraelit, me qëllim që Izraeli të vendoste shfarosjen e tyre pa asnjë mëshirë për ta, por t'i zhdukte nga faqja e dheut ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
21Po në këtë periudhë Jozueu u nis në marshim dhe shfarosi anakitët e krahinës malore, ata të Hebronit, të Debirit, të Anabit, të të gjithë krahinës malore të Judës dhe të të gjithë krahinës malore të Izraelit; Jozueu vendosi shfarosjen e tyre të plotë bashkë me qytetet e tyre.
22Nuk mbetën më anakitë në vendin e bijve të Izraelit; mbetën disa prej tyre vetëm në Gaza, në Gath dhe në Ashod.
23Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë vendin, pikërisht ashtu siç i kishte thënë Zoti Moisiut; Jozueu ia la pastaj si trashëgim Izraelit, sipas ndarjeve të tyre në fise. Dhe kështu vendi pati një pushim nga lufta.
Aktualisht i përzgjedhur:
Jozueu 11: ALBB
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr