Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozueu 14

14
1Këto janë territoret që bijtë e Izraelit morën si trashëgimi në vendin e Kanaanit, dhe që prifti Eleazar, Jozueu, bir i Nunit, dhe kryetarët e familjeve të fiseve të bijve të Izraelit u ndanë atyre si trashëgimi.
2Trashëgimia e tyre u vendos me short, ashtu si u kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit,
3sepse dy fiseve të tjera dhe gjysmës së fisit, Moisiu u kishte dhënë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit; por nuk u kishte dhënë asnjë trashëgimi levitëve,
4sepse bijtë e Jozefit formonin dy fise, atë të Manasit dhe atë të Efraimit; levitëve nuk iu dha asnjë pjesë në vend, por vetëm disa qytete për të banuar bashkë me kullota për bagëtinë e tyre dhe pasuritë që kishin.
5Bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe e ndanë vendin.
6Atëherë bijtë e Judës u paraqitën para Jozueut në Gilgal; dhe Kalebi, bir i Jefunehut, Kenizeu, i tha: "Ti e di atë që Zoti i tha Moisiut, njeriut të Perëndisë, lidhur me mua dhe me ty në Kadesh-Barnea.
7Unë isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i Zotit, më dërgoi në Kadesh-Barnea për të vëzhguar vendin; unë i paraqita një raport ashtu si ma thoshte zemra.
8Ndërsa vëllezërit e mi që kishin ardhur me mua e shkurajuan popullin, unë ndoqa plotësisht Zotin, Perëndinë tim.
9Atë ditë Moisiu bëri këtë betim: "Toka që ke shkelur me këmbë do të jetë trashëgimia jote dhe e bijve të tu përgjithnjë, sepse ke ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë tim".
10Dhe ja, tani Zoti më ka ruajtur të gjallë, siç e kishte thënë, këto dyzet e pesë vjet që kur Zoti i tha këto fjalë Moisiut, ndërsa Izraeli endej nëpër shkretëtirë; dhe ja, sot u bëra tetëdhjetë e pesë vjeç.
11Por sot jam akoma i fortë si ditën që Moisiu më nisi; po atë fuqi që kisha atëherë e kam edhe tani, qoftë për të luftuar, qoftë për të shkuar dhe për të ardhur.
12Prandaj ma jep këtë mal për të cilin foli Zoti atë ditë; sepse ti vetë e dëgjove atë ditë që aty ishin anakimët dhe kishte qytete të mëdha dhe të fortifikuara. Në rast se Zoti do të jetë me mua, unë do t'i dëboj, ashtu si ka thënë Zoti".
13Atëherë Jozueu e bekoi dhe i dha si trashëgimi Hebronin Kalebit, djalit të Jefunehut.
14Për këtë arsye Hebroni ka mbetur pronë e Kalebit, birit të Jefunehut, Kenizeu, deri në ditën e sotme, sepse ai ka ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë e Izraelit.
15Më parë Hebroni quhej Kirjath-Arba, Arba pati qenë njeriu më i madh në radhët e anakimëve. Dhe vendi nuk pati më luftë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Jozueu 14: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr