Jozueu 8
8
1Pastaj Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë dhe mos u tmerro. Merr të gjithë luftëtarët e tu dhe nisu dhe sulmo Ain. Shiko, unë po të jap në dorë mbretin e Ait, popullin e tij, qytetin e tij dhe vendin e tij.
2Dhe do t'u bësh Ait dhe mbretit të tij ato që u ke bërë Jerikos dhe mbretit të tij; do të merrni për vete vetëm plaçkën dhe bagëtinë e tij. Zëri një pritë qytetit në pjesën e prapme të tij.
3Kështu Jozueu dhe të gjithë luftëtarët e tij u ngritën më këmbë për të sulmuar Ain. Ai zgjodhi tridhjetë mijë njerëz, luftëtarë trima, dhe i nisi natën,
4duke u dhënë këtë urdhër: "Ja, ju do të rrini në pritë kundër qytetit, duke qëndruar prapa tij; mos u largoni shumë nga qyteti, por rrini gjithnjë në gatishmëri.
5Pastaj unë dhe tërë njerëzit që janë me mua do t'i afrohemi qytetit; dhe kur ata do të dalin kundër nesh si herën e parë, ne do të ikim para tyre.
6Ata do të dalin për të na ndjekur derisa t'i kemi tërhequr larg qytetit, sepse do të thonë: "Ikin me vrap para nesh si herën e parë". Dhe, ndërsa ne do të ikim me vrap para tyre,
7ju do të dilni nga prita dhe do të pushtoni qytetin, sepse Zoti, Perëndia juaj, do ta japë në duart tuaja.
8Me ta pushtuar qytetin, do t'i vini flakën; do të bëni atë që ka urdhëruar Zoti. Kini mendjen, ky është urdhri që ju jap".
9Kështu Jozueu i nisi; ata shkuan në vendin e pritës dhe u ndalën midis Bethelit dhe Ait, në krahun perëndimor të Ait; por Jozueu mbeti atë natë në mes të popullit.
10Jozueu u ngrit herët në mëngjes, kaloi në paradë popullin dhe u ngjit bashkë me pleqtë e Izraelit në krye të popullit kundër Ait.
11Tërë luftëtarët që ishin me të u ngjitën dhe u afruan; kështu arritën përballë qytetit dhe fushuan në veri të Ait. Midis tyre dhe Ait kishte një luginë.
12Atëherë ai mori rreth pesë mijë njerëz dhe i vuri në pritë midis Bethelit dhe Ait, në perëndim të qytetit.
13Pasi populli zuri pozicion, kampi qendror ishte në pritë në perëndim të qytetit, Jozueu atë natë përparoi në mes të luginës.
14Kur mbreti i Ait pa këtë gjë, njerëzit e qytetit u ngritën herët me ngut në mëngjes dhe dolën për të luftuar kundër Izraelit: mbreti dhe tërë populli i tij, në pozicionin e caktuar përballë Arabahut; por mbreti nuk e dinte që i kishin zënë pritë në pjesën prapa qytetit.
15Atëherë Jozueu dhe i tërë Izraeli, duke u shtirur sikur ishin mundur para tyre, ua mbathën këmbëve në drejtim të shkretëtirës.
16I tërë populli që ndodhej në qytet u thirr të mblidhej për t'i ndjekur; kështu e ndoqën Jozueun dhe shkuan larg qytetit.
17S'mbeti burrë në Ai dhe në Bethel pa dalë pas Izraelit. E lanë kështu qytetin të hapur dhe iu vunë pas Izraelit.
18Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Shtrije shtizën që ke në dorë në drejtim të Ait, sepse unë do të ta dorëzoj në dorë". Dhe Jozueu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit.
19Me të shtrirë dorën, burrat që ishin në pritë u ngritën me të shpejtë nga vendi i tyre, hynë në qytet, e zunë dhe nxituan t'i vënë flakën.
20Kur njerëzit e Ait shikuan prapa, ja, ata panë tymin e qytetit që ngjitej në qiell; dhe nuk patën asnjë mundësi të iknin as nga një anë, as nga ana tjetër, sepse populli që ikte me vrap në drejtim të shkretëtirës u kthye kundër atyre që e ndiqnin.
21Kështu, kur Jozueu dhe i tërë Izraeli panë që njerëzit e pritës e kishin pushtuar qytetin dhe që tymi i tij ngrihej lart, u kthyen prapa dhe mundën njerëzit e Ait.
22Edhe të tjerët dolën nga qyteti kundër tyre; kështu ata të Ait u gjendën të zënë në kurth në mes të forcave të Izraelit, duke pasur nga një anë njërën palë, nga ana tjetër palën tjetër; dhe i mundën derisa nuk mbeti asnjë i gjallë apo ikanak.
23Por mbretin e Ait e zunë të gjallë dhe e çuan tek Jozueu.
24Kur Izraeli mbaroi së vrari tërë banorët e Ait në fushë dhe në shkretëtirë ku ata e kishin ndjekur, dhe u therën të gjithë derisa u shfarosën të tërë, gjithë Izraeli u kthye në drejtim të Ait dhe i ra me shpatë.
25Tërë ata që u vranë atë ditë, burra dhe gra, ishin dymbëdhjetë mijë veta, të gjithë banorë të Ait.
26Jozueu nuk e uli dorën që mbante shtizën, derisa i shfarosi të gjithë banorët e Ait.
27Izraeli mori për vete vetëm bagëtinë dhe plaçkën e atij qyteti, sipas urdhrit që Zoti i kishte dhënë Jozueut.
28Kështu Jozueu i vuri flakën Ait dhe e katandisi në një grumbull gërmadhash përgjithnjë, një vend të shkretuar deri ditën e sotme.
29Pastaj e vari mbretin e Ait në një dru dhe e la atje deri në mbrëmje; në perëndim të diellit, Jozueu urdhëroi që kufoma e tij të ulej nga druri, të hidhej në hyrje të portës së qytetit dhe mblodhën mbi të një numër të madh gurësh, që shihen edhe sot.
30Atëherë Jozueu ndërtoi një altar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, në malin Ebal,
31ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, u kishte urdhëruar bijve të Izraelit, siç shkruhet në librin e ligjit të Moisiut, u ngrit një altar gurësh të palatuar mbi të cilët askush nuk kish kaluar, ndonjë vegël të hekurt; pastaj mbi të bënë holokauste për Zotin dhe flijime falënderimi.
32Aty Jozueu shkroi mbi gurë një kopje të ligjit, që Moisiu pati shkruar në prani të bijve të Izraelit.
33I tërë Izraeli, si të huajt ashtu edhe ata që kishin lindur izraelitë, pleqtë, oficerët dhe gjykatësit e tij, rrinin më këmbë në të dyja anët e arkës, përballë priftërinjve levitë që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, gjysma përballë malit Gerizim dhe gjysma tjetër përballë malit Ebal, ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar më parë, për të bekuar popullin e Izraelit.
34Pas kësaj, Jozueu lexoi tërë fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet, ashtu si shkruhet në librin e ligjit.
35Nga të gjitha ato që kishte urdhëruar Moisiu, Jozueu nuk la pa lexuar asnjë fjalë përpara gjithë asamblesë së Izraelit, duke përfshirë gratë, fëmijët dhe të huajt që banonin në mes tyre.
Aktualisht i përzgjedhur:
Jozueu 8: ALBB
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr