Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: ''Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni:
Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin.
Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!
Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës.
Dhe ai u tha atyre: ''Edhe ju qenkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë,
sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?''. Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet.
Tha akoma: ''Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur.
Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet,
vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku.
Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut''.