Marku 7:14-23
Marku 7:14-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui e thirri sërish turmën pranë vetes e tha: «Dëgjomëni të gjithë e merrni vesh! Njeriun nuk mund ta ndotë asgjë që hyn tek ai nga jashtë, por e ndotin ato që dalin prej tij». Kur u nda nga turma e hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën për shëmbëlltyrën. Ai u tha: «As ju nuk e keni kuptuar? A nuk e kuptoni se njeriun nuk mund ta ndotë çfarë hyn tek ai nga jashtë, se nuk hyn në zemër, por në bark e pastaj jashtëqitet?». Kështu Jezui i shpalli të pastra të gjitha ushqimet. Dhe vazhdoi: «Çfarë del prej njeriut është ajo që e ndot njeriun, se prej zemrës së njeriut dalin mendimet e liga, kurvëritë, vjedhjet, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, grykësitë, ligësitë, dinakëria, fëlligështia, smira, fyerjet, mburrja e marrëzia. Të gjitha këto gjëra dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun».
Marku 7:14-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: ''Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni: Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë! Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës. Dhe ai u tha atyre: ''Edhe ju qenkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë, sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?''. Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet. Tha akoma: ''Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur. Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut''.