Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje. Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate; do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja; kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua. Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht. Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij, sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen. Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen. Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar. Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të. Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj. Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje. Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarsinë i bëri të qëndrueshëm qiejt. Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë. Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit. Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde. Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet. Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël. Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak. Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh. Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër", kur e ke me vete gjënë e nevojshme. Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty. Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe. Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij, sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm. Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve. Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit. Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.
Lexo Fjalët e urta 3
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Fjalët e urta 3:1-35
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video