Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,
sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.
Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënës sime,
ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.
Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;
mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.
Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.
Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvetëson.
Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie".
Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen.
Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë.
Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.
Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.
Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij;
evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.
Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;
ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.
Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë.
Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë.
Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia;
mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;
sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.
Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.
Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura.
Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje.
Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë.
Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.