Fjalët e urta 4:1-27
Fjalët e urta 4:1-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Dëgjoni, o bij, mësimin e atit, kini mendjen, që të njihni zgjuarsinë, se unë ju jap udhëzime të mira; mos e shpërfillni ligjin tim. Kur për tim atë isha fëmijë e për time më i butë e i dashur, ai më mësonte e më thoshte: «Mblidhi fjalët e mia në zemrën tënde, mbaj urdhërimet e mia e do të jetosh. Rrok urtinë, kap zgjuarsinë, mos harro fjalët e gojës sime e mos i shmang. Mos e lër urtinë e ajo të ruan, duaje e ajo të mbron. Fillimi i urtisë: rrok urtinë! Jep çka ke arritur e kap zgjuarsinë. Vlerësoje e ajo të lartëson, përqafoje e ajo të nderon. Do të të vërë në kokë një rreth hijeshie, me kurorë bukurie do të të stolisë». Dëgjo, biri im, e nxëri fjalët e mia, që të shumohen vitet e jetës sate. Po të tregoj udhën e urtisë, po të prij shtigjeve të drejtësisë. Nuk do të të ngatërrohen hapat kur të ecësh e, po të vraposh, nuk do të pengohesh. Ndiq rregullin e mos e lër, zbatoje, se është jeta jote. Mos i hyr udhës së të paudhëve e mos ec rrugës së të prapëve. Shmange e mos kalo andej, dredho e ik tutje, se ata s'flenë pa bërë të keqen, u ikën gjumi po s'dëmtuan kënd, se ata hanë bukën e prapësisë dhe pinë verën e dhunës. Udha e të drejtëve është si drita e agimit që shkon duke shndritur gjer në mesditë. Por udha e të prapëve është si terri i natës, ata s'e dinë ku venë e pengohen. Biri im, ki mendjen te fjalët e mia, merr vesh çfarë të kam thënë: mos i hiq sysh, por ruaji mu në zemër, se janë jetë për kë i gjen e shërim për tërë trupin e tij. Ruaj zemrën tënde mbi gjithçka, se jeta prej saj buron. Mos u bëj gojëçartur e as buzëprapë. Sytë e tu të shohin përballë, drejt përpara ta kesh shikimin. Kujdesu për udhën ku vë këmbën e do të jenë të sigurta shtigjet e tua. Mos u luhat as djathtas, as majtas, shmangu nga e keqja.
Fjalët e urta 4:1-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni, sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim. Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënës sime, ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh. Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre; mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë. Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë. Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvetëson. Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie". Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen. Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë. Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh. Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote. Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij; evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje. Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë; ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës. Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë. Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë. Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia; mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre. Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës. Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura. Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje. Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë. Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.