Psalmet 69:13-18 - Krahaso të Gjitha Versionet
Psalmet 69:13-18 ALBB (Bibla Shqip 1994)
Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar. Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella. Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua. Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë. Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh. Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.
Psalmet 69:13-18 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
Më përgojuan ata që rrinë portave, pijanecët më bënë këngë. Por unë lutjen time ta drejtoj ty, o ZOT, në kohën e duhur, në mirësinë tënde të madhe, përgjigjmu, o Perëndi, e më jep shpëtimin tënd të vërtetë. Nxirrmë nga balta, që të mos fundosem, çliromë prej atyre që më urrejnë e prej ujërave të thella. Mos më rrëmbeftë rrjedha e ujërave, thellësia e humnerës mos më përpiftë e gryka e pusit mos u mbylltë mbi mua. Përgjigjmu, o ZOT, se e mirë është besnikëria jote, kthehu drejt meje, sipas dhembshurisë sate të madhe. Mos e fshih fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, përgjigjmu sa më shpejt, se jam ngushtë.
Psalmet 69:13-18 PSGEKK1872 (Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872)
Por unë dërgoj të falunitë t’em te ti, o Zot, kohë pëlqimi ashtë, o Perëndi, për të shumën’ e përdëllinit t’yt ndëgjo-më, edhe për të vërtetën’ e shpëtesësë s’ate. Shpëto-më prei baltet, qi të mos zhytem, shpëtofsha prei atyne qi më kanë mëni, edhe prei thellësinavet ujënavet. Mos më mbuloftë të rriedhunit’ e ujënavet, as mos më përpiftë thellësina, edhe pusi mos mbylltë grykën’ e vet mbi mue. Ndëgjo-më, o Zot, se përdëllimi ytasht i mirë; mbas shumë të dhimptunavet tua, shtier sytë mbi mue. Edhe mos këthe mbënjanë faqenë tande prei shërbëtorit t’yt, se jam shtrënguem; ndëgjo-më shpeit. Avitu te shpirti em, edhe shpërble ate, për punët të anëmiqvet mi shpëto-më.