Romakëve 2:2-11 - Krahaso të Gjitha Versionet
Romakëve 2:2-11 ALBB (Bibla Shqip 1994)
Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla. Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë? Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim? Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë, që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira; ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim. Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, judeut më parë e pastaj grekut; por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, judeut më parë e pastaj grekut. Sepse te Perëndia nuk ka anësi.
Romakëve 2:2-11 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
Ne e dimë se gjykimi i Perëndisë për ata që bëjnë këto gjëra është sipas së vërtetës. A mendon se do t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë, o njeri, që gjykon ata që bëjnë të njëjtat gjëra që i bën edhe ti? Apo i përçmon pasuritë e mirësisë, të durimit dhe zemërgjerësisë së Perëndisë pa e ditur se mirësia e tij të çon në pendim? Por me ashpërsinë tënde dhe me zemrën e papenduar po i përgatit vetes një zemërim të madh për ditën kur Perëndia do të zbulojë zemërimin dhe gjykimin e tij të drejtë. Perëndia do ta shpërblejë çdonjërin sipas veprave të veta. Atyre që me durim kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi në vepra të mira, do t'u japë jetën e amshuar, ndërsa ata që janë kryeneçë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, i pret zemërimi e tërbimi i Perëndisë. Për çdo qenie njerëzore që bën ligësi do të ketë mundim e ankth, së pari për judeun, por edhe për helenin. Por për këdo që bën të mirën, do të ketë lavdi, nder e paqe, së pari për judeun, por edhe për helenin. Sepse Perëndia nuk është i njëanshëm.