Agimi i Gëzimit të pashkatërrueshëmShembull
Hiri: nota dominuese e Krishtlindjes
Në ungjillin sipas Gjonit nuk ka një histori tradicionale Krishtlindjeje për lindjen e Jezusit. Kujtoni se si fillon: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1). Në vend që ta vendosë historinë e Krishtlindjes dhe shpjegimin e saj në fillim të ungjillit, Gjoni e ndërthur historinë e Krishtlindjes me qëllimin e Krishtlindjes përgjatë ungjillit të tij.
Për shembull, pasi ka thënë që Fjala “ishte Perëndi”, Gjoni thotë: “Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë.... Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së tij, hir mbi hir” (Gjoni 1:14, 16).
Prandaj, Fjala e përjetshme e Perëndisë mori mbi vete mish njerëzor dhe në këtë mënyrë, Biri hyjnor i Perëndisë—i Cili nuk pati kurrë një fillim, që kurrë nuk u krijua, Ai që ishte Perëndia, por që gjithashtu ishte me Perëndinë—ky Bir u bë njeri. Kështu Ai e bëri lavdinë e Perëndisë të dukshme, në një mënyrë krejt të re. Kjo lavdi hyjnore e manifestuar në mënyrë unike në Birin e Perëndisë ishte plot hir dhe të vërtetë. Prej kësaj plotësie, ne marrim hir mbi hir.
Ky është kuptimi i Krishtlindjes në ungjillin sipas Gjonit. Perëndia Bir, Ai i cili është Perëndi dhe që është me Perëndinë, erdhi të na zbulojë Perëndinë, në një mënyrë që Ai nuk ishte zbuluar më parë. Në këtë zbulesë, nota dominuese që tingëllon, është hiri: nga plotësia e kësaj zbulese të lavdisë hyjnore, ne marrim hir mbi hir.
Ose siç thuhet edhe te Gjoni 3:16-17: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin [këtu kemi Krishtlindjen dhe të Premten e Mirë në një të vetme], që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta gjykojë botën [Krishtlindja nuk ka të bëjë me dënimin], por që bota të shpëtohet me anë të tij [Krishtlindja ka të bëjë me shpëtimin].”
Në fund të jetës së Tij, Jezusi ishte para Pilatit dhe ai i tha: “Ti, pra, qenke mbret?” Jezusi u përgjigj: “Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë [ky është qëllimi i Krishtlindjes]; që të dëshmoj për të vërtetën; kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin tim” (Gjoni 18:37).
Cili ishte efekti i së vërtetës që Jezusi e dëshmoi me fjalët dhe me gjithë personin e Tij? Ai na tha te Gjoni 8:31-32: “...Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.” Prandaj kuptimi i Krishtlindjes është ky: Biri i Perëndisë erdhi në botë për të dhënë dëshmi për të vërtetën, në një mënyrë që nuk ishte dëshmuar kurrë më parë.
Ai është udha, e vërteta dhe jeta (Gjoni 14:6). Synimi i dhënies së vetes si e vërteta në botë është liria. Ju do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë. Të lirë nga faji dhe fuqia e mëkatit. Të lirë nga vdekja, verbëria dhe gjykimi.
Si ndodh ky çlirim? Kujtoni nga Gjoni 6 që, kur Jezusi zbriti nga qielli, Ai erdhi për të vdekur. Jezusi erdhi për të vdekur. Ai erdhi të jetonte një jetë të përsosur, një jetë pa mëkat dhe pastaj të vdiste për mëkatarët. Gjoni 6:51 thotë: “Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; kush ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; dhe buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.”
Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne, në mënyrë që të mund të jepte mishin e Tij për jetën e botës. Ne mëkatarët mund të marrim hir mbi hir prej plotësisë së Tij, për shkak se Ai erdhi të vdiste për ne. Krishtlindja ishte fillimi i përgatitjes për të Premten e Mirë.
Pra, përgjatë Ungjillit sipas Gjonit kuptimi i Krishtlindjes bëhet i qartë. Fjala u bë mish. Ai e zbuloi lavdinë e Perëndisë si kurrë më parë. Ai vdiq sipas planit të Tij. Për shkak të vdekjes së Tij në vendin tonë, ai është bukë për ne. Ai është burimi i faljes, drejtësisë dhe jetës. Ky është kuptimi më i madh i Krishtlindjes në Ungjillin sipas Gjonit. Ky madje është kuptimi i Krishtlindjes në botë edhe sot.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
Gëzimi që Jezusi po sillte në botë ishte si asnjë gëzim tjetër në histori. Sapo ta kemi marrë këtë gëzim, asgjë nuk mundet ta shkatërrojë...Veçoni kohë dhe qetësi për veten tuaj këtë stinë Krishtlindjeje dhe kërkoni për këtë përjetim.
More
Ne dëshirojmë të falënderojmë IGNIS Ministry Albania për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/tematika/agimi-i-gezimit/