Stinët e zemrësShembull

Gjithçkaja jona
Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. - Psalmi 73:25
Kur numëroj bekimet tona të shumta, shikoj pas me përulësi të thellë në jetën dhe në të kaluarën time, dhe shoh kaq pak mirënjohje dhe aq shumë padenjësi. Sa shumë ka bërë hiri sovran për mua! Pavarësisht se kam deklaruar solemnisht se gjej ngushëllim në fe, a burojnë shpresat e mia të lumturisë vetëm nga Perëndia? Megjithatë, sa shpesh jam endur nëpër botë në kërkim të kënaqësisë dhe kam çnderuar më të mirin e zotëve përmes një jete jo të shenjtë.
Sa mosmirënjohëse kam qenë për bekimet e zakonshme të jetës dhe për bekimet akoma më të çmuara të Frymës së Shenjtë. Qoftë çdo bekim i përkohshëm që zemra jote dëshiron, i joti. Por, cilado qoftë sprova përmes së cilës ti mund të thirresh të kalosh, le të marrë pjesë në ty besimi që vjen nga lart që të mund të ëmbëlsojë kupën e hidhur të jetës, të të japë gëzim në këtë luginë lotësh, të të mbështesë në skajin më të fundit të natyrës dhe të të drejtojë te Kanaani qiellor, aty ku do të mbretërojë përgjithnjë një lumturi e patrazuar. Jeta nuk është veçse avull. Pavarësisht nëse e kalojmë atë në paqe dhe rehati, ose në dhimbje dhe vuajtje, koha shumë shpejt do të na zbarkojë në brigjet e përjetësisë në shtëpinë tonë të paracaktuar.
M’i thotë zemra këto gjëra, këto janë të vërteta solemne. Nuk janë trillime. Megjithëse gjuha e jetës sime në të kaluarën ka qenë, “Nuk ekziston një vend tjetër në të ardhmen”, megjithatë tani ndiej se ekziston një përjetësi ku do të takoj miqtë e mi të kësaj bote dhe do të qëndroj përgjegjëse para gjykatës së madhe për sjelljen time ndaj tyre. Më vjen keq për humbjen e atyre orëve që kam kaluar në kotësi dhe në plagosjen e kauzës së Atij Shpenguesi të dashur, të Cilin, besoj, nëse nuk gënjej veten, tani mund ta quaj timin. Unë besoj se mund të them së bashku me psalmistin: “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje” (73:25). Feja e Tij ngushëllon dhe mbështet frymën time të ligështuar; premtimet e Tij inkurajojnë dhe lavditë e Tij më ngrohin zemrën.
Frances Ridley Havergal
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një vit devocionesh nga një brez grash në tjetrin
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al