Zanafilla 21
21
Lindja e Isakut
1 Zoti e pa me sy të mirë#21.1 he. e vizitoi Sarën ashtu siç i kishte thënë dhe bëri për të siç kishte premtuar. 2Sara mbeti shtatzënë dhe i lindi Abrahamit një djalë në pleqëri, në po atë kohë që Perëndia i kishte thënë. 3Birin që i lindi Sara, Abrahami e quajti Isak. 4Kur u bë tetëditësh e rrethpreu ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. 5Abrahami ishte njëqind vjeç kur i lindi Isaku, i biri. 6Atëherë Sara tha: «Perëndia më bëri të qesh. Kush do të dëgjojë, do të qeshë me mua». 7Ajo tha: «Kush do të mund t'i thoshte Abrahamit: “Sara do të mëndë fëmijë!”? Por, ja ku i linda një djalë në pleqëri».
Hagara dhe Ishmaeli
8Djali u rrit dhe la gjirin e së ëmës. Kështu Abrahami bëri një gosti të madhe ditën kur Isaku la gjirin. 9Kur Sara pa se biri që Hagara, egjiptiania, i lindi Abrahamit, po qeshej, 10i tha Abrahamit: «Dëboje këtë skllave me të birin, pasi i biri i saj nuk do të jetë trashëgimtar bashkë me tim bir, Isakun». 11Abrahamit i erdhi keq për djalin e tij, Ishmaelin. 12Por, Perëndia i tha Abrahamit: «Mos të të vijë keq për djalin dhe për skllaven tënde. Dëgjoje Sarën në çdo gjë që thotë, sepse emrin tënd do ta mbajë Isaku. 13Edhe prej birit të skllaves do të bëj një komb, sepse është fara jote». 14Atëherë Abrahami u ngrit herët në mëngjes, mori bukë e një kacek me ujë e ia vuri në krahë Hagarës bashkë me djalin dhe i nisi. Ajo u largua e u end në shkretëtirën e Bershebës.
15Kur mbaroi uji i kacekut e la djalin nën një shkurre, 16u largua e ndenji larg, sa një e hedhur harku, e tha: «Nuk e shoh dot djalin duke vdekur!». Ajo ndenji përballë tij e qau me dënesë. 17Perëndia e dëgjoi zërin e djalit dhe engjëlli i Perëndisë e thirri Hagarën nga qielli e i tha: «Çfarë ke Hagarë? Mos ki frikë, se Perëndia e dëgjoi zërin e djalit prej vendit ku është. 18Ngrihu, merre djalin e mbaje për dore, sepse prej tij do të bëj një komb të madh». 19Atëherë Perëndia ia hapi sytë e ajo pa një burim. Shkoi, mbushi kacekun e ujit e i dha për të pirë djalit.
20Perëndia ishte me djalin. Ai u rrit, banoi në shkretëtirë e u bë harkëtar. 21Ai banoi në shkretëtirën e Paranit dhe e ëma i gjeti një grua egjiptiane.
Besëlidhja e Abrahamit me Abimelekun
22Në atë kohë, Abimeleku e Pikoli, prijësi i ushtrisë së tij, i thanë Abrahamit: «Perëndia është me ty në çdo gjë që bën. 23Betohu, pra, në emër të Perëndisë se nuk do të më mashtrosh as mua, as fëmijët e mi e as pasardhësit e mi. Por ashtu siç unë t'u tregova mirëdashës, ashtu edhe ti do të veprosh me mua e me vendin në të cilin banon si i huaj». 24Abrahami tha: «Betohem!».
25Pastaj Abrahami iu ankua Abimelekut për një pus që ia kishin marrë shërbëtorët e Abimelekut. 26Abimeleku i tha: «Nuk e di kush e ka bërë këtë gjë. Ti nuk më ke treguar e unë nuk kisha dëgjuar gjë deri më sot». 27Atëherë Abrahami mori dhen e qe, ia dha Abimelekut e të dy lidhën besën. 28Abrahami vuri mënjanë shtatë rrunëza të kopesë. 29Abimeleku i tha Abrahamit: «Përse i vure mënjanë këto shtatë rrunëza?». 30Ai i tha: «Këto shtatë rrunëza do t'i marrësh prej meje si dëshmi që e hapa unë këtë pus». 31Prandaj ai vend u quajt Bershebë pasi atje u betuan të dy. 32Pasi lidhën besën në Bershebë, Abimeleku e Pikoli, prijësi i ushtrisë së tij, u ngritën e u kthyen në vendin e filistinëve. 33Abrahami mbolli në Bershebë një pemë bruke e atje thirri emrin e Zotit, Perëndisë së amshuar. 34Abrahami banoi si i huaj në vendin e filistinëve për një kohë të gjatë.
Поточний вибір:
Zanafilla 21: AL1
Позначайте
Поділитись
Копіювати
Хочете, щоб ваші позначення зберігалися на всіх ваших пристроях? Зареєструйтеся або увійдіть
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020